Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, për dështimin e seancës të së martës, për shkak të mungesës së kuorumit, ka thënë se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka vendosur që t’i qortojë deputetët duke mos i pritur që ata të mos vonohen më.
Ai i ftuar në emisionin FIVE, ka thënë se për një kohë të gjatë është vërejtur vonesa e deputetëve në fillimin e seancës, dhe nga kjo arsye ka filluar një lloj qortimi që seancat të fillojnë me kohë dhe të mos priten deputetët.
“Disa deputetë janë në vizita zyrtare në ShBA, dhe është vërejtur një mungesë e disa deputetëve, mirëpo dështimi i sotëm ka qenë se i kemi disa deputet që zakonisht vonohen në fillimin e seancave, ka edhe në mesin tonë pra nga të gjitha grupet pa përjashtim të cilët nuk arrijnë në kohë për fillim të seancës. Mendoj që kryetari i Kuvendit ka filluar një lloj qortimi që ose seancat të fillojnë me kohë ose të mos priten deputetët. Pra, pas një pritje prej 30 minutash ka vendosur që ta mbyllë seancën dhe të mos vazhdoj me pritjen e deputetëve”, është shprehur ai.
Po ashtu, ai ka thënë se raste të tilla kanë ndodhur pasi disa deputetë nuk arrin më kohë, disa sipas tij, kanë arsyet e veta që për shkak të komunikacionit nuk arrijnë me kohë.
“Fatkeqësisht kjo po na përcjell vazhdimisht pasi disa deputetë nuk arrin më kohë, disa kanë arsyet e veta që për shkak të komunikacionit nuk arrijnë me kohë. Nuk kemi seanca të çdo ditshme, kemi një ose dy seanca gjatë javës dhe besoj që deputetët duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe duhet të jenë më kohë në sallë”, ka thënë Haliti.
Në mungesë të kuorumit, seanca e Kuvendit është shtyrë për nesër. Kështu ka bërë të ditur kryeparlamentari Konjufca. Ai kishte thënë se të pranishëm janë vetëm 44 deputetë.
Seanca e së martës ka qenë vazhdimësi e seancave të mëparshme, pra pikave që nuk janë diskutuar nga seancat e mëparshme. Ndërkohë nesër me fillim nga ora 10:00 do të mbahet seanca e rregullt plenare.


