Lajme

Dështimi i ekzekutimit të pagave, Çitaku: Shpërfaq në mënyrë brutale shkallën e lartë të papërgjegjshmërisë

09/30/2024 21:27
nga:G C

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për dështimin e shpërndarjes së pagave në sektorin publik në kohë. Duke folur në emisionin “Pressing” të T7, Çitaku akuzoi qeverinë se po tregon mungesë ndjeshmërie dhe profesionalizmi.

Ajo theksoi se shumë nëpunës publikë, duke përfshirë oficerë policie, mjekë, mësues dhe ushtarë, kanë mbetur pa pagesë, gjë që ajo e përshkroi si një shembull të qartë të papërgjegjshmërisë së qeverisë dhe mungesës së llogaridhënies.

“Ne duhet të kujtojmë që sot qindra mijëra shërbyes publikë, policë, mjek, mësues, ushtarë nuk i kanë marrë pagat e tyre. Kjo shpërfaq në mënyrë shumë brutale shkallën e lartë të papërgjegjshmërisë, mungesën totale të llogaridhënies brenda Qeverisë, mungesën e profesionalizmit dhe ndoshta çka është më tragjikja shpërfaq një shkalla të lartë të mungesës së empatisë, ndjeshmërisë”, ka thënë Çitaku.