Ish-diplomati Avni Arifi ka komentuar situatën politike aktuale, duke thënë se ajo do të zgjaste derisa Lëvizja Vetëvendosje (VV) të ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar.
Sipas Arifit, as VV dhe as opozita nuk kanë shumicën e nevojshme për të formuar një qeveri.
Ai për GazetaBlic theksoi se Kurti do propozojë një kandidat që mund të mbështetet nga opozita, por vetëm kur i konvenon, duke hapur mundësinë për zgjedhje të reja pas 45 ditësh.
“Kjo situatë do të zgjasë deri ditën kur VV nuk e nderon kandidatin. E duke marrë parasysh se as VV, as opozita e deritashme nuk i kanë votat për Qeveri, Kurti e propozon kandidatin që e voton edhe opozita, atëherë kur i konvenon, që 45 ditë pas tij të shkojmë në zgjedhje. Krejt është kalkulim partiak, pra”, tha Arifi për GazetaBlic.
Avokati Xhevdet Smakiqi ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe bllokadës politike që po shkakton në Kuvendin e Kosovës.
Ai për GazetaBlic e ka quajtur këtë situatë një “okupim personal” të Republikës së Kosovës nga Kurti.
“Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi Kushtetutën e saj, e cila përmban vlerat dhe parimet më demokratike dhe konsiderohet si ndër kushtetutat më të avancuara”, theksoi Smakiqi, duke shtuar se Kosova nuk ka krizë demokratike, politike apo kushtetuese, pasi detyrimet kushtetuese janë të qarta.
Ai përmendi se kjo ngecje është shkaktuar nga Albin Kurti, i cili sipas tij, ka ngulfatur vendin në aspektin ekonomik dhe diplomatik.
“Ky person fizik, pra Albin Kurti, prej vitit 2021 e ka ngulfatur Republikën e Kosovës, ekonominë e saj, diplomacinë, integrimin euroatlantik, duke i sjellë Kosovës sanksionet e BE-së dhe izolimin Amerikan”, tha ai.
Smakiqi theksoi se kjo bllokadë është shkaktuar për interesa personale të Kurtit dhe grupit të tij, duke u kërkuar opozitës që të mbrojë interesin jetik të Kosovës.
“Opozita duhet të shkojë në Kuvendin e Kosovës dhe të mos dalë prej aty, deri sa të detyrohet Albin Kurti ta zhbllokojë konstituimin e Kuvendit dhe të hapë rrugë kushtetuese për formimin e Qeverisë”, theksoi ai, duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ai përfundoi duke thënë se Republika e Kosovës ka sistemin e saj kushtetues dhe “asnjë individ nuk mund ta sfidojë, siç po ndodh në këtë bllokadë të pa-kuptimtë, me elemente të okupimit personal të një personi fizik”.
“Pra, secila opozitë ka detyrim ta mbrojë interesin jetik të Republikës së Kosovës dhe në rastin konkret, nuk duhet t’i shërbejë bllokadës personale të një individi që e ka emrin Albin Kurti. Republika e Kosovës ka sistemin e saj kushtetues dhe asnjë individ nuk mund ta sfidojë, siç po ndodh në këtë bllokadë të pa-kuptimtë, me elemente të okupimit personal të një personi fizik”, tha Smakiqi për GazetaBlic.
Asgjë e re, dështon për herë të 21-të konstituimi i Kuvendit


