Sporti

Dështim pas dështimi për Arbnor Morinën, Kosova U-17 e dobët, barazon me Kazakistanin që luajti me 10 lojtarë për 30 minuta!

10/15/2024 16:58
nga:Lorik J

Kosova U17 ka dështuar të fitoj sërish.

Ekipi kombëtar U-17 i udhëhequr nga trajneri, Arbnor Morina, nuk ka marrë më shumë se një barazim dramatik 4-4 ndaj Kazakistanit, shkruan GazetaBlic Sport.

Kjo ndeshje u zhvillua në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Evropian, EURO U17, në Academie Robert Louis Dreyfus Liege në Belgjikë.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0 në favor të Kazakistanit, teksa në pjesën e dytë “Dardanët” u ngjallën duke barazuar me golat e Rin Ahmetit. Golin e tretë për Kazakistanin e shënoi, Toleukhan në minutën e 53’të të sfidës. E në minutën e 55’të të ballafaqimit, Kazakistani mbeti me 10 lojtarë – pasi Kenesbekov u ndëshkua me të kuq.

Kosova barazoi rezultatin me Shalën në minutën e 61’të, por katër minuta më pas, Kazakistani kaloi sërish në epërsi me Satpayev. “Dardanët” nuk lejuan turpërimin e humbjes dhe barazuan me Abduallahun nga penalltia pas 79 minutave, duke vulosur rezultatin 4-4.

Arbnor Morina e Kosova U17 dështuan edhe në ndeshjen e tretë kualifikuese dhe deri tani numërojnë veç 1 pikë nga këto sfida.

Në tri ndeshje kanë pranuar 10 gola, kanë humbur dy takime, e kanë barazuar sot… Natyrisht paraqitje zhgënjyese këto!

/GazetaBlic Sport