Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Ekrem Bajroviq, dëshmitari Tahir Shalaj ka thënë se nuk ndihet i dëmtuar nga i akuzuari por nga shteti i Serbisë.
Në këtë rast, Prokuroria e ngarkon Bajroviqin për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999, kundër popullsisë civile në Komunën e Istogut dhe fshatrave përreth, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Une vetem e ndjej të demtum prej Serbije jo prej ktina… përkundrazi une muj me ju falenderu për atë ditë”, tha dëshmitari Shalaj.
Paraprakisht njëjti tha se të akuzuarin Bajroviq e njihte vetëm si figurë dhe që e dinte që ishte polic i rregullt, duke shtuar se në momentin kur ai ishte ndaluar në Zallq ia kishin marr veturën disa persona civil dhe e kishin drejtuar në një lokal.
Sipas tij, aty kishte biseduar me një ushtar serb, i cili e kishte pyetur se a e njihte tani të akuzuarin Bajroviq, dhe pasi i njëjti i kishte thënë se e njeh, ushtari i kishte thënë të akuzuarit Bajroviq ta largonte atë nga lokali dhe dërgonte në depo.
Tutje, dëshmitari Shalaj tha se më vonë aty kishte ardhur edhe komandanti Millosh Stojkoviq.
Po ashtu i njëjti tha se një ish-shofer i xhaxhait të tij Nebojsha Babiq që kishte kaluar në polici kishte ardhur dhe i kishte thënë që do të ia siguronte ndonjë vend në një traktor të largoheshin pasi që të i lironte nga aty ku më pas i kishte liruar atë dhe vëllain e tij tani të ndjerë B.Sh.
Dëshmitari Shalaj tha se i akuzuari Barjoviq aty kishte qenë me uniformë të policisë, por që nuk i kujtohej nëse ai kishte pas armë.
Ndërsa në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit Bajroviq, avokatit Ljubomir Pantovic, i njëjti tha se i akuzuari Bajroviq i kishte ndihmuar kur ishte zënë në Zallq pasi që e kishte dërguar lart në depo.
Paraprakisht i njëjti tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në polici lidhur me këtë çështje.
Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Mentor Mavraj i cili tha se në vitin 1998-1999 kishte jetuar në fshatin Staradran, ku pasi që më 8 maj të vitit 1999, ishin futur forcat policore serbe dhe se në fshatin Zallq, ushtria burrat i kishin futur në një lokal.
Sipas të njëjtit, më pas i kishin kontrolluar dhe i kishin goditur nga pak dhe se në atë lokal kishte pasur edhe polic, duke shtuar se në atë vend kishte shumë njerëz dhe se mesin e shumë policëve vetëm dy i kishte njohur për të cilët tha se nuk e dinte çka kishin vepruar aty pasi që ai nuk i kishte parë duke bërë ndonjë gjë.
“Millosh Stojkoviq dhe Ekrem Bajroviq, më kujtohet mirë shumë”, tha dëshmitari Mavraj.
Ai tha se disa i kishin lëshuar e disa kishin mbetur, duke shtuar se atë e kishte lëshuar komandanti Millosh Stojkoviq që e kishte njohur edhe më herët pasi që kishte një lokal në fshat.
Po ashtu dëshmitari Mavraj tha se të akuzuarin Bajroviq e njihte si polic, duke shtuar se nuk ndihej i dëmtuar.
Pasi që përfunduan dëshmitë e dëshmitarëve Shalaj dhe Mavraj seanca e sotme u ndërpre.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 15 shtator 2023, Ekrem Bajroviq po akuzohet gjatë viteve 1998-1999 ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile, në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth.
Bajroviq akuzohet se si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.