Lajme

Dëshmitari thotë se në raportin për avancat e paarsyetuara, u nënvlerësua shuma mbi 500 mijë euro

10/11/2022 16:50
nga:G B

Zyrtari i Zyrës Kombëtare të Kosovës, Fejzullah Fejza ka thënë se raporti për avancet e paarsyetuara ishte nënvlerësuar për vlerën 502 mije 486 euro.

Një deklarim të tillë Fejza e dha duke dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit në rastin ku zyrtari i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Mendim Sojeva dhe zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Ganimete Gashi – Ahmeti  po akuzohen se kishin përvetësuar mbi 1 milion euro në emër të avancave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti shtoi se kategorinë e avanceve të paarsyetuara nuk kanë qenë në gjendje ta testojnë për faktin se menaxhmenti i ministrisë nuk ka qenë në gjendje të iu ofroj dokumentacionin e nevojshëm si kërkesën e aprovuar për udhëtim zyrtar, ftesën, agjendën, kërkesën për zotim dhe urdhër, obligimin për pagesë.

E që sipas tij,  në këto raste kur nuk e pranojnë dokumentacionin e lartpërmendur, ata në njëfarë mënyre e modifikojnë opinionin për atë çështje.

“Këtë çështje e kena në pasqyra në raportin e auditimit të vitit 2017, në faqe 5 muna me citu, në kuadër të pasqyrave financiare këna gjet 4 çështje që e kanë modifiku opinionin, çështja e 4 lidhet specifikisht me avancet, tek neni 20 (referimi i pasqyrave financiare) raporti për avancet e paarsyetuara ishte nënvlerësuar për 502 mij e 486 euro”, tha dëshmitari Fejza.

Paraprakisht, dëshmitari Fejza ishte pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Sojeva, avokati Ali Beka, në lidhje me mostrën të cilën e kishte audituar në vitin 2017 dhe sa a kanë qenë të përfshira avancet.

Lidhur me këtë, Fejza tha se shumica e mostrave ishin pjesë e AKPPM-së dhe se menaxhmenti i Ministrisë të Shëndetësisë iu është drejtuar këtij agjensioni sipas kërkesës së Zyrës Kombëtare të Auditimit, e të cilat zyrtari përgjegjës në AKPPM nuk i ka siguruar.

I njëjti tha se për këto mostra kanë kërkuar dokumente të ndryshme në kopje fizike, siç janë: kërkesa e aprovuar për avancet, ftesa, agjenda, kërkesa për zotimin e nënshkruar prej zyrtarëve të atij agjencioni, mirëpo sipas tij ato dokumente nuk iu janë ofruar.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Beka, dëshmitari Fejza ndër të tjera tha se në pasqyrën e vitit 2017 ministria ka raportuar avance të paarsyetuara diku me vlerë 19 mijë euro, kurse në librin kryesor apo SIMFK si avance të pa mbyllura në kodin e Ministrisë të Shëndetësisë figuronin 552 mijë e 287 euro.

Ndërsa, i pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli se të njëjtit a bazohen ndonjëherë në auditimet e brendshme, Fejza tha se duhet bërë një vlerësim i shkallës së besueshmërisë, mirëpo në rastin konkret nuk janë bazuar.

Gjithashtu, i njëjti u përgjigj edhe në pyetje të anëtares të trupit gjykues, gjykatëses Suzana Çerkini, duke thënë se kur e bëjnë publikimin e raporteve, publikohen edhe komentet e organizatave kompetente, e që sipas tij, në këtë rast në faqen e fundit të raportit është edhe letra e konfirmit nga ministri i shëndetësisë për pranimin e draftit dhe çështjet që nuk kanë komente.

Ndryshe, paraprakisht si dëshmitar është dëgjuar edhe Demë Rexhepi, udhëheqës i njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Shëndetësisë.

Dëshmitari Rexhepi, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Beka deklaroi se gjatë viteve 2014-2018 janë bërë dy auditime sa i përket fushëveprimit të shpenzimeve, njëri në vitin 2016 e tjetri në vitin 2019, të cilat janë bërë për vitet paraprake.

Lidhur me avancet në AKPPM, dëshmitari Rexhepi tha se gjithherë gjetjet kanë qenë përafërsisht të njëjta, duke marrë parasysh që jo shpesh iu kanë përmbajt obligimit ligjor për mbylljen e tyre brenda afatit prej 15 ditësh nga momenti i kthimit nga udhëtimi zyrtar.

Tutje, Rexhepi tha se zyrtari i cili i tërheqë mjetet në bankë merr autorizimin nga mbikëqyrësi, sipas tij, nga drejtori financiar që zakonisht është zyrtari kryesor financiar.

Ndërsa, i pyetur nga prokurori special Haki Gecaj se a duhet të ruhet çdo dokumentacion për çdo shpenzim të buxhetit, Rexhepi tha se po dhe se janë ligjet që i përcaktojnë afatet se sa duhet të ruhen.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarës Gashi – Ahmeti, avokati Skender Musa, se a ka gjetur shkelje gjatë auditimit në zyrën e të njëjtës, Rexhepi tha se nuk ka pasur gjetje materiale.

Ndërkaq, krejt në fund të seancës, avokati Beka propozoi që në ciliësi të dëshmitarit të ftohet edhe eksperti i financave Emin Plakaj, i cili është edhe përpiluesi i ekspertizës, propozim i cili nuk u kundërshtua nga prokurori special Gecaj.

Në lidhje me këtë, trupi gjykues morri aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Sojeva, avokatit Beka.

Në këto rrethana, seanca e caktuar për nesër është anuluar, ndërsa e radhës është caktuar të mbahet më 17 tetor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva po akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas PSRK-së, këto avanca i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku shumën e përgjithshme prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, e kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletë-tërheqje me rastin e pranimit për shumën 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave. Për disa prej tyre thuhet se ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së, ishin tërhequr 290 mijë e 430 euro, të cilët zyrtarë e kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi për pranim nga ana e tyre në emër të MSh-së.

E gjithë kjo shumë e avancave, sipas PSRK-së, ishte zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesve Shkelzen Sadriu në vlerë 1 milion e 238 mijë e 764 euro, me ID të përdoruesit Naime Shahini-Feta shuma prej 173 mijë e 305 euro, të cilët zyrtarë kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në të akuzuarin Sojeva, i cili sipas tyre i kishte keqpërdorur fjalëkalimet e tyre.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancat në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj–Veseli, shuma prej 553 mijë e 269 euro, me ID të Thesarit, Ibadete Shala shuma prej 156 mijë e 750 euro dhe Bali Morina shuma prej 20 mijë e 850 euro, të cilët kishin mohuar se kishin bërë regjistrim të shpenzimeve të avancave duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të fjalëkalimeve të tyre.

Sipas aktakuzës, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSh, Musa Rexhaj dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr, të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779 mijë e 289 euro, për të cilat në AKPPM, nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.

Nga shuma prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra në emër të avancave, për 133 mijë e 940 euro, ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avancat e tërhequra në vlerë prej 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, përveç fletë tërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB, e të nënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avanca ishin miratuar apo aprovuar nga menaxhmenti apo se cili zyrtar i kishte pranuar.

Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva, i cili i kishte pranuar ato para, duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së – Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së, Sojeva në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK dhe Ganimete Gashi-Ahmeti si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri me 12 shkurt 2018, përmes ueb-shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me fjalëkalim të personave zyrtar të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancat duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka të emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morinës.

Kështu, të njëjtit pretendohet se kishin regjistruar kuponë shpenzimi në vlerë 20 mijë e 850 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare 72 kuponë në vlerë 154 mijë e 736 euro e 84 centë, në shumë të përgjithshme 175 mijë e 586 euro e 84 centë, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avancave të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Për këto veprime, Sojeva po ngarkohet me veprat penale “Përvetësimi në detyrë”, dhe në bashkëkryerje më të akuzuarën Ganimete Gashi–Ahmeti edhe për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”.