Showtime

Dëshmitari thotë se kur e pa Mehmet Elshanin të plagosur e dërgoi në spital sepse nuk e ndihmonte askush

09/23/2021 16:38
nga:G C

Dëshmitari Riza Bajrami deklaroi se kur doli nga lokali e pa Mehmet Elshanin të shtrirë në tokë dhe i ofroi ndihmë duke e dërguar me veturën e tij në spital, pasi sipas tij nuk e ndihmonte askush.

Këtë dekarim, dëshmitari e bëri të enjten në gjykimin ku Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi, akuzohen për plagosjen e menaxherit të “On Records”, Mehmet Elshani.

Në këtë seancë përveç Bajramit, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua edhe Shaip Latifi, raporton “Betimi për Drejtësi”.Dëshmitari Riza Bajrami gjatë kësaj seance deklaroi se rasti në fjalë kishte ndodhur përafërsisht 2 vite më parë dhe tha se në momentin kritik kishte qene duke punuar në lokalin e tij si frizer ku njëkohësisht është edhe pronar.

Bajrami po ashtu deklaroi se personalisht nuk kishte dëgjuar asgjë, por për këtë ishte njoftuar nga stafi i tij që punonin në atë lokal.“Gjatë asaj kohe kom qenë në pjesën e estetikës në podrum duke trajtuar klientë, personalisht s’kam dëgju asgjë, mirëpo pas 5 minutave ka ardhë stafi im dhe më kanë tregu që një person është i shtrirë në tokë”, tha dëshmitari Bajrami.

Tutje, ai deklaroi se sapo kishte dalë nga lokali, personi i shtrirë në tokë kishte qenë Mehmet Elshani, afërsisht 20 metra larg lokalit të tij dhe të njëjtit i kishte ofruar ndihmë me veturën e tij deri në spital pasi që sipas tij asnjë person nuk e ndihmonte atë.Ai shtoi se Elshanin e njihte dhe kishte raporte shoqërore pasi që bashkëpunonte me artistët e tij, të cilëve u kryente shërbime në lokalin e tij “Rizza Hair Salon”.

Dëshmia e tij ka vazhduar me ballafaqimin e deklaratave nga ana e prokurorit Hivzi Bajraktari të dhëna në polici vetëm 30 minuta pas ngjarjes dhe deklarimet gjatë kësaj seance të cilat sipas prokurorit ishin kontradiktore.Sipas prokurorit Bajraktari, dëshmitari Bajrami në polici kishte deklaruar se ditën kritike kishte dëgjuar krisma dhe vetura e tij ishte dëmtuar, deklarata këto të cilat Bajrami i mohoi në këtë seancë duke shtuar se atë ditë kishte qenë në gjendje jo të mirë emocionale dhe psikike.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Adhurim Krasniqi, avokatit Haxhi Millkau, dëshmitari Bajrami deklaroi se i dëmtuari Elshani dhe Avdullah Islami nuk kanë qenë klientë të tij, mirëpo të njëjtit i njihte vetëm në bazë të Feronit Shabanit-Feros, duke mohuar se ditën kritike përveç Elshanit t’i ketë parë Shabanin dhe Islamin në vend të ngjarjes.

Tutje, në pyetjet e të akuzuarit Adhurim Krasniqi, se ditën kritike a e kishte parë ndonjërin prej këtyre tre personave Elshanin, Shabanin dhe Islamin dëshmitari tha se ishte takuar vetëm me Shabanin në xhami për faljen e xhumasë.Lidhur me deklarimin e dëshmitarit Bajrami vërejtjeje kanë pasur mbrojtësit e të akuzuarve, avokati Hamit Gashi, Haxhi Millaku dhe Naser Sopjani.

Në këtë seancë në cilësinë e të dëmtuarit është dëgjuar edhe dëshmitari Shaip Latifi, i cili deklaroi se pasi që ishte kthyer në shtëpi kishte dëgjuar rrëfimin e gruas së tij lidhur me rastin.Latifi tha se gruaja e tij kishte dëgjuar britma të njerëzve dhe të shtëna armësh e po ashtu kishte parë që njerëzit që kishin qenë afër vendit të ngjarjes të gjithë ishin shtrirë për toke.“Ajo më thotë se kam qenë në kuzhinë edhe thotë se disa drunj që i kemi perballë, disa pemë thotë krejt janë dridhë nga breshëri i plumbave edhe mandej unë e pyeta a u vra ndokush a jo ajo m’tha një u plagos mandej tha ata që kanë qenë në restorant të cilin e kemi afër, personat kanë qenë te shtrië për toke”, deklaroi Latifi.

Tutje dëshmitari Latifi, deklaroi se banesa e tij gjendet 5 metra afër vendit të ngjarjes dhe pohoi se përballë tij është një lokal me emrin “Rizza Hair Salon”.Dëshmitari Latifi shtoi se në ballkonin e banesës së tij kishte gjetur dy plumba, të cilit ishin deformuar pasi që sipas tij, nuk kishin mundur të depërtonin brenda sepse dritarja ishte e mbyllur me rrolete, gjë për të cilën ai tha se kishte qene fat i mirë.Latifi në cilësinë e të dëmtuarit deklaroi se heqë dorë nga parashtrimin i kërkesës pasurore juridike.

Në fund, prokurori propozoi që në seancën e radhës në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen edhe bashkëshortja e dëshmitarit Latifi dhe dëshmitari Lutfi Kozmaqi, sepse janë në interes të së drejtës.

Propozimin për thirrjen e bashkëshortes së dëshmitarit Latifi e kanë kundërshtuar mbrojtësit e të akuzuarve, pasi që sipas tyre është jorelevante dëshmia e saj, mirëpo këtë propozim gjykata e ka aprovuar.Ndryshe në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohej edhe dëshmitari Besart Hasani, për të cilin gjykatësi Agim Kuçi tha se i njëjti e kishte konfirmuar edhe përmes telefonit, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Seanca e radhës në këtë çështje penale u caktua të mbahet më 3 nëntor 2021.Ndryshe, në këtë rast, Shpëtim Cakiqi, Leotrim Krasniqi dhe Adhurim Krasniqi po akuzohen se kishin tentuar të privonin nga jeta të akuzuarin Mehmet Elshani, ndërsa Cakiqi po akuzohet edhe për një tjetër rast, në të cilin kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarit Agon Selmanaj, të cilit i kishte shkaktuar lëndim të lehtë trupor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzë thuhet se derisa Elshani ishte duke shkuar në drejtim të sallonit “Rizah Hair Sallon”, kishin shkuar të akuzuarit dhe kishin filluar të fjalosen me të, ku të tre i kishin nxjerrë armët dhe kishin filluar të shtënë në drejtim të Elshanit, i cili për t’u mbrojtur kishte nxjerrë armën e tij dhe kishte shtënë në drejtim të të akuzuarve.Nga këto të shtëna, një predhë e kishte qëlluar Elshanin në kofshë të këmbës së djathë duke e rrëzuar për tokë dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndërsa të akuzuarit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu, sipas aktakuzës, nga të shtënat me armë të zjarrit, predhat kishin depërtuar edhe në banesën e të dëmtuarit Shaip Latifi duke i shkaktuar dëm në vlerë 95 euro, si dhe në veturën e të dëmtuarit Rizaj Bajrami, veturën e Besart Hasanit si dhe një tjetër veturë të tipit ‘Audi”.Për këto veprime, tre të akuzuarit në bashkëkryerje po akuzohen se kanë kryer veprat penale “vrasja e rëndë në tentativë” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa të njëjtit bashkë me të akuzuarin Mehmet Elshani po akuzohen edhe për “armëmbajtje pa leje”.

Ndërsa sipas prokurorisë, i akuzuari Shpëtim Cakiqi, më 16 maj 2019, në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë, me dashje i kishte shkaktuar lëndim trupor të dëmtuarit Agon Selmanaj.Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari Selmanaj kishte qenë duke ecur me vëllain e tij Ndue Selmanaj, përballë tyre kishin kaluar të akuzuarit Cakiqi dhe i akuzuari Adhurim Krasniqi, ku së bashku me një person të panjohur i kishin nxjerrë armët dhe i kishin repetitur duke ua drejtuar të dëmtuarve dhe kishin filluar të fjalosen me ta.

Në aktakuzë thuhet se në ato momente i akuzuari Adhurim Krasniqi e kishte goditur me grusht në kokë të dëmtuarin Ndue Selmanaj, ndërsa i akuzuari Cakiqi kishte shtënë në drejtim të Agon Selmanajt, duke e qëlluar në këmbën e majtë dhe duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, ndërsa të tre kishin ikur nga vendi i ngjarjes.Për këto veprime, i akuzuari Cakiqi po ngarkohen me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i akuzuari Adhurim Krasniqi me veprat penale “kanosja” dhe “armëmbajtje pa leje”. /BetimipërDrejtësi