Lajme

Dëshmitari thotë se kishte dëgjuar të akuzuarin duke brohoritur “Kosova është Serbi”

08/18/2022 16:45
nga:G B

Në gjykimin ndaj Nikola Nedelkovic, i cili po akuzohet se ka nxitur publikisht urrejtje ndërmjet kombësive shqiptare dhe serbe, dëshmitari Musë Zjaqa, tha se Nedelkovic shumicën e kohës kishte bërë thirrje me zë të lartë “Kosova është Serbi, e gjithë Rusia, Kosova është e Serbisë si dhe vrite vrite shqiptarin”.

Këtë deklarim, dëshmitari Zjaqa e bëri në seancën e së enjtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Musë Zjaqa, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ali Ajdini tha se më 28 qershor 2022 kishte qenë i angazhuar sipas detyrë zyrtare me qindra kolegë të tjerë në Gazimestan, ku detyra e tij tha se kishte qenë identifikimi i personave të cilët prishin rendin, qetësin dhe rregulloret të cilat kanë qenë të ditura për pjesëmarrësit.

Sipas tij, i akuzuari prej kohës kur kishte hyrë brenda objektit kishte bërë veprime të cilat bien ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës, duke shpërndarë disa flamuj te personat tjerë të pranishëm duke mbajtur një apo më shumë për vete.

“Ai ka hipur në binën e cila ka qenë e vendosur duke bërë thirrje përçarëse dhe duke i nxitur pjesëmarrësit tjerë që të bëjë thirrje të njëjta të cilat vazhdimisht i ka përsëritur dhe theksohet se flamujt, kanë pasur hartën e Republikës së Kosovës ndërsa në prapavijë të asaj harte ka qenë flamuri i Serbisë si dhe ka qenë një mbishkrim ‘nuk dorëzohemi’”, tha dëshmitari Zjaqa.

Zjaqa tha se i akuzuari Nedelkovic shumicën e kohës kishte bërë thirrje me zë të lartë “Kosova është Serbi, e gjithë Rusia, Kosova është e Serbisë si dhe vrite vrite shqiptarin”.

Tutje, i pyetur nga avokatja Filipovic se për çfarë arsye nuk kishte incizuar kur Nikola kinse i kishte thënë këto fjalë, dëshmitari Zjaqa tha se nuk kishte pasur autorizim që të bëjë video incizime dhe nuk ka qenë detyrë e tij.

Po ashtu, dëshmitari Zjaqa tha se ai nuk kishte qenë i autorizuar as për kontrollimin e personave të cilët kanë hyrë në Gazimestan.

Dëshmitari i radhës, Valon Islami, tha se më 28 qershor 2022 po ashtu kishte qenë i caktuar në planin operativ të manifestimit të Gazimestanit, ku rreth orës 12:00 kishte parë të akuzuarin duke shpërndarë disa flamuj.

Ai tha se njërin prej tyre e kishte mbajtur edhe për vete gjatë gjithë kohës, në të cilin flamur tha se kishte qenë harta e Kosovës i mbuluar me Republikën e Serbisë me mbishkrimin në gjuhën serbe “nuk dorëzohemi”.

Tutje, sipas dëshmitari Islami, i akuzuari kishte bërë edhe disa thirrje që kanë qenë fyese, përçarëse duke nxitur urrejtje dhe mos durim duke thënë “Vrite shqiptarin”, “Kosova është Serbi”.

Sipas tij, në bazë të planit operativ ka qenë për detyrë që të kontrollohen personat në hyrje të objektit të cilët kanë pas me vete parolla apo mjete të tjera të dukshme si flamuj, maica, dhe gjëra të tjera me të cilat kanë nxitur urrejtje mos durim fyerje, për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.

I pyetur nga avokatja Filipovic se a kishin bërë shikimin e gjërave personale të Nikolës, dëshmitari tha se pasi që i njëjti është arrestuar, i njëjti është dorëzuar në njësi policore e cila sipas tij ka bërë transportimin dhe kontrollin e tij.

Paraprakisht në këtë seancë pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari Nikola Nedelkovic, u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.
Gjatë dhënies së fjalës hyrëse, prokurori i shtetit Ali Ajdini, tha se me administrimin e provave në shqyrtim gjyqësor dhe me dëgjimin e dëshmitarëve do të vërtetohet se i pandehuri e ka kryer veprën penale si në aktakuzë.

Prokurori Ajdini, propozoi që në cilësi të dëshmitareve të dëgjohen zyrtarët policor Musë Zjaqa, Valon Islami dhe Sami Shahini, pasi që të njëjtit sipas tij në ditën kritike kishin marrë pjesë në planin operativ.

Mirëpo, mbrojtësja e të akuzuarit Nedelkovic, avokatja Jovana Filipovic e ka kundërshtuar këtë propozim duke thënë se këta dëshmitar nuk janë kredibil sepse nuk kanë dorëzuar asnjë provë materiale që do të vërtetonte fjalët e të mbrojturit të saj.

“Aktakuza bazohet vetëm në deklaratat e dëshmitarëve të cilët deklaratën e tyre e kanë dhënë në një raport policor grupor e jo secili veç e veç konform rregullave të policisë ku konsiderojmë se këta dëshmitarë nuk mund të japin dëshmi të dejtë në lidhje me Kodin për Procedurën Penale, nga këto arsye e kundërshtojmë këtë propozim”, shtoi avokatja Filipovic.
Propozimi i tillë, u aprovua nga gjykatësi Adnan Kamberi i cili tha se gjykata përmes dëgjimit të këtyre dëshmitarëve mund të vie deri tek e vërteta.

Ndërsa, avokatja Filipovic në fjalën e saj hyrëse tha se i mbrojturi i saj kishte qenë prezent në Gazimestan bashkë me rreth 1 mijë persona me të cilët kishte kënduar këngë të lëshuara në autoparlant.

“Së bashku me ata persona ka kënduar këngë të cilat kanë qenë të lëshuara në autoparlant apo zmadhues zëri, këto këngë ai nuk i ka shpikur dhe këto këngë i kanë kënduar të gjithë të pranishmit në Gazimestan, fjalët e njëjta i kanë thënë të gjithë të pranishmit aty dhe prandaj kjo lloj aktakuzë në këtë pjesë ka dashtë të ngritët kundër secilit person prezent at ditë në Gazimestan”.

Po ashtu, ajo tha se i përket flamurit të cilin Nikola e ka pasur në pronësi dhe është fotografuar me të, ai flamur nuk ka qenë i tij dhe se nuk ka dashur që në asnjë mënyrë të bëjë ndonjë provokim.

Tutje, në mungesë të dëshmitarit të radhës Sami Shahini, seanca e sotme është ndërprerë lidhur me dëgjimin e dëshmitarit të radhës Sami Shahini, prokurori Ajdini tha se i njëjti nuk mund të jetë i pranishëm në seancën e sotme për shkak se është i ngarkuar me detyra jashtë Prishtinës.

Në këto rrethana, seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale u caktua më 6 shtator 2022.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 qershor 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nikola Nedelkovic pasi që më 28 qershor 2022 në Prishtinë, konkretisht në fshatin Bërnicë e Poshtme derisa ishte duke u mbajtur manifestimi i Vidodanit, i pandehuri me dashje në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, ka nxitur publikisht urrejtje dhe mos durim ndërmjet kombësive shqiptare dhe serbe.

Sipas aktakuzës, i njëjti kishte mbajtur flamuj me mbishkrime në gjuhën serbe “nuk dorëzohemi” dhe më pas ka bërë fotografi dhe ka bërë thirrje nacionalisht në gjuhën serbe “Vrite vrite shqiptarin, e gjithë Rusia, Kosova është Serbi”.

Me këtë, Nedelkovic po akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit nga neni 141, par.1 të KPRK-së”.