Dëshmitari Gani Sopi, ish-anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në seancën e së hënës, ka deklaruar se ka qenë anëtar i njësisë BIA dhe se këtë e kuptoi dhe ia shpjeguan në maj të vitit 1999.
Sopi ka thënë se nuk kanë vërejtur se kanë kaluar civilë apo dikush tjetër gjatë asaj periudhe në pikat ku kanë vëzhguar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjatë kohës para 24 marsit të vitit 1999, në Prishtinë a ka pas njerëz të zhvendosur nga pjesë tjera të Kosovës”, ka pyetur avokati Betim Shala.
Ndërkaq, dëshmitari e ka konfirmuar këtë dhe ka thënë se kryesisht kanë qenë nga vatrat që ka pasur më tepër luftë, ku ka pasur nga Drenica, pjesa e Dukagjinit e nga Llapi.
Sopi tha se situata e sigurisë në qytetin e Prishtinës pas 24 marsit ka qenë shumë e keqe.
“Ka qenë e rënduar për shkak se ka qenë vërtetë shumë e vështirë të lëvizësh nga vendi në vend. Maltretimet, rrahjet, represaliet, e të gjitha ato që iu kanë ardhë në dorë kanë ndodh dhe i kanë bërë serbët për shkak se kanë operue edhe me paramilitarë. Çka ka qenë në të keqe dhe e mundshme, ata i kanë bërë”, deklaroi ai, ku tha se nga këto maltretime janë detyruar populli të braktisin Prishtinën.
Pas përfundimit të marrjes në pyetje nga mbrojtja, prokuroria ka parashtruar pyetjet e saj.
Duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Cezary Mihailzcuk, dëshmitari tha se kur e ka dhënë deklaratën në prokurori beson që e ka thënë të vërtetën.
Sipas dëshmitarit, kur ka dhënë deklaratën e tij në prokurori i ka shpjeguar ngjarjet me aq sa i di dhe i kujton, ku i ka përshkruar dhe bashkëbiseduar me prokurorin.
Ai tha se gjatë intervistimit me prokurorinë ka qenë korrekte biseda, ku në mënyrë profesionale është diskutuar çështja.
Prokurori Mihailzcuk, tha se dëshmitari në të paktën dy raste ka thënë në gjykatore se kur është larguar nga Prishtina për në Butovc data ka qenë fundi i marsit, çka e konfirmoi edhe dëshmitari.
Kurse, prokurori tha se në deklaratën e tij në prokurori, fundin e marsit 1999 nuk e ka përmendur, por 28 marsin si kohë kur ka shkuar në Butovc.
“E kam thënë, por e vërteta ishte se ka qenë fundi i marsit”, tha dëshmitari Sopi, për çka tha se e sqaroi edhe më herët këtë.
Prokurori tha se deklarata që dëshmitari i ka dhënë mbrojtjes mban 31 marsin 2021, ku tha se i ka thënë mbrojtjes të vërtetën dhe i ka thënë të gjitha ato që ka pasur për t’i thënë.
“Në disa rreshta, ju përmendni si kohën e zhvendosjes nga Prishtina për në Butovc në mars të vitit 1999 dhe përmendni një ditë specifike dhe ajo është 28 mars”, tha prokurori Mihailzcuk.
Tutje, ai vazhdoi të lexonte pjesë nga deklarata e dhënë nga dëshmitari për mbrojtjen.
“Dhe përgjigja e juaj është që nuk ka ndonjë incident që mund të përmend, por të gjithë ishim të përfshirë me të zhvendosurit dhe ishim të zënë duke dhënë mbështetje”, lexoi prokurori, çka e konfirmoi dhe dëshmitari.
Sipas prokurorit Mihailzcuk, në pyetjen për Salih Mustafën, dëshmitari ka deklaruar “unë filloj nga 28 mars kur u larguam nga Prishtina që kishim festën myslimane Bajramin dhe bëj llogaritje nga kjo datë”.
Prokurori e ka pyetur se a e konfirmon se në të gjitha citimet e përmendura nga prokurori, dëshmitari i drejtohej 28 marsit 1999 dhe jo 31 marsit apo fundit të marsit që ka përmendur sot dëshmitari si datë kur është larguar nga Prishtina për Butovc.
“E dhashë edhe sqarimin te mbrojtja. Të qartë e kam, e kam thënë në atë kohë, por kur e kam mendue, po flasim për 23 vite më herët, edhe është vështirë çdo detaj dhe datë. Bile kërkova që te datat të kemi tolerancë, për shkak se mundet me pas mospërputhje jo të fshehjes diçka por për shkak të rrethanave, kontestin të kohës. E kam vërtetu që e kam dhënë gabim datën 28, për shkak se de jure dhe de facto kishte qenë periudha e fundit të marsit. Kjo është e vërteta”, tha dëshmitari.
Në anën tjetër, prokurori tha se si prokurorisë, si mbrojtjes, dëshmitari i ka dhënë datë konkrete, atë të 28 marsit. Tutje, dëshmitari sërish tha se ka qenë fundi i marsit.
Tutje, atij nga prokuroria iu shfaq një dokument, i cili ishte kalendari online i festimeve myslimane të Bajramit të Vogël.
“Në fund fare të faqes si mund të shihni, data e këtij festimi mysliman është 28 marsi”, tha prokurori, e dëshmitari tha se e sheh këtë.
Prokurori Mihailzcuk, më pas tha se duke qenë se po flasin për të qenë të saktë për datat, dëshmitari tha vet se kanë kaluar 23 vjet nga ato ngjarje dhe nuk mund të jetë i saktë për këto ndodhi, ky i fundit e konfirmoi këtë.
“Në përgjigje të pyetjes së mbrojtjes, ju thatë “po mendoj për datën, diku ka qenë nga fundi i marsit 1999 kur kam shkuar në vendlindje”, a do të thotë se nuk jeni të qartë me datën specifike apo konkrete”, pyeti prokurori.
Dëshmitari tha se me periudhën e kohës është ngatërruar sigurisht, por se nuk po lëviz shumë data.
Më pas, atij iu tregua ajo që i ka thënë prokurorit për takimin me Salih Mustafën, kur ishte pyetur se a i kujtohet koha kur Salih Mustafa kishte shkuar.
“Përgjigja juaj është që me aq sa mbaj mend unë ka qenë Bajrami i vogël më 28 mars. Me aq sa kujtoj unë, ai erdhi për të vizituar drejt fundit të javës së parë të prillit. A e konfirmoi këtë”, pyeti prokurori Mihailzcuk.
“Prapë po e them se te datat është vështirë me u mbajt mend për shkak se mund të lëvizin ato, por e kam potencue se ka qenë në dy javët e para të muajit prill”, tha dëshmitari.
Prokurori e ka pyetur se a është takuar me Mustafën drejt fundit të javës së parë së prillit 1999.
“Mund të ketë qenë, por prapë po e them e mora dy javët e para të muajit prill”, tha dëshmitari, duke thënë sërish se ka kaluar shumë kohë.
“Lidhur me kohën ose periudhën gjatë së cilës keni parë Salih Mustafën në Butovc, është një rresht në deklaratën që i keni dhënë prokurorisë. Duke folur për periudhën gjatë së cilës keni parë Salih Mustafën në Butovc, ju i keni thënë prokurorit “ndenji për ca kohë, deri në fund të javës së dytë së muajit prill, e mbaj mend këtë mbështetur në situatën që po zhvillohej në fshat”, tha prokurori.
Kurse, dëshmitari tha se “aty pari ka qenë”. Ndërkaq, prokurori tha se më herët dëshmitari në përgjigjet që i dha mbrojtjes po fliste për vëzhgimet që po i kryenin në fshatin Butovc, kur me të ishte edhe Salih Mustafa, ku për këtë dëshmitari tha se është e vërtetë.
“Kur zoti Mustafa i kryente vëzhgimet gjatë qëndrimit të tij në Butovc, a kishte raste kur i bënte jo me ju vet, por me persona të tjerë”, ka pyetur prokurori, kurse dëshmitari e konfirmoi këtë.
Tutje, prokurori Mihailzcuk tha se dëshiron të flasë me dëshmitari për pasojat afatgjate që mund t’i kenë ndodhur nga maltretimi që ka pësuar dëshmitari nga forcat serbe.
“Kisha m’u kursy se këtë ngjarje në detaje, ju kam thënë dhe për arsye edhe personale, për shkak se i kom rujt këtë rast edhe në familje, kanë qenë të rënda dhe nuk kisha pas dëshirë të vazhdoj për shkak se i kam pas edhe tre shokë, Isa Kastrati, Hazir Borovci dhe Sabit Mushicën, që jemi të përfshirë në këtë grup dhe vërtetë ka qenë keq rëndë”, ka thënë ai.
Kurse, prokurori tha se e po e pyet për pasojat që mund t’i ketë pësuar.
“Të dëgjuarit e kam më të vogël, ka pas dëmtime të shumta të pjesës së trupit, e fytyrës. Nij pasojat, nij”, tha dëshmitari Sopi.
Prokurori më pas ka cituar një pjesë të deklaratës së dëshmitarit për këtë çështje.
“Zoti Sopi, këtu prokurori po flet me ju për pasojat e atij maltretimi që keni pësuar nga forcat serbe. Pyetja ime ishte më me saktësi për ndonjë pasojë afatgjatë të asaj rrahje, ku ju i keni thënë avokatit të mbrojtjes dhe na keni konfirmuar edhe ne që keni probleme me dëgjimin, po ndonjë problem tjetër keni pasur, raste psikologjike, traumë, pagjumësi, mungesë të kujtesës apo ndonjë rezultat tjetër negativ i këtij maltretimi. Përgjigja e juaj ishte, pagjumësi deri dikur, por mungesa në kujtesë, po”, tha prokurori, duke e pyetur se a është e vërtetë kjo.
Ndërkaq, dëshmitari Sopi e konfirmoi këtë.
“Sot keni thënë për një grup njerëzish të cilët kanë shkuar me ju nga Prishtina në Butovc- “ishte një numër i madh nuk ua jap dot shifrën me saktësi, ama mund të them se ishin mbi 10 mijë nga çdo moshë, nga të dyja gjinitë, kishte gra, fëmijë, të sëmurë, të moshuar. A e konfirmoni këtë”, pyeti prokurori dhe dëshmitari e konfirmoi.
Kurse, prokurori Mihailzcuk, tha se të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe në deklaratën e dhënë në prokurori e edhe te mbrojtja.
“Shkurtimisht a mund të na tregoni si ishte situata humanitare kur shkuat aty me këtë grup kaq të madh njerëzish”, pyeti prokurori.
Dëshmitari tha se beson se e përshkroi edhe më herët se ka qenë e rëndë situata, por janë organizuar bashkërisht dhe janë munduar që në ato rrethana e kushte të mobilizohen që të strehojnë dhe vendosin personat nëpër ato vende, ashtu si rrëfeu edhe më herët.
Ata që kanë ndihmuar në Butovc, tha se kanë qenë shok të tij dhe bashkëluftëtar e kanë qenë Hazir Borovci, Jakup Ismaili, Mustafë Sopi, Sabit Mushica, Sabit Krasniqi, Ilmi Reçica, Haki Reçica e të tjerë që nuk i kujtohen gjithë emrat.
Prokurori Mihailzcuk, tha se në deklaratë dëshmitari ka thënë se gjatë prillit kanë ndihmuar popullatën të strehohen pasi kishte me mijëra refugjatë që kishin mbërritur dhe këtë e konfirmoi ai.
Lidhur me marrëdhëniet e tij të tanishme me Salih Mustafën, prokurori Mihailzcuk e pyeti se çka ndodhi në vitin 2002, dëshmitari konfirmoi se vajza e vëllait të tij është martuar me Salih Mustafën.
Më pas, dëshmitari u pyet se a është takuar me Salih Mustafën para arrestimit të tij nga Dhomat e Specializuara.
“Kemi marrëdhënie familjare, por kohët e fundit nuk e besoj. Shkoj shpesh se kam edhe nënën e heroit në atë oborr ku janë këta aty, por në kohët e fundit nuk e besoj kur u arrestu”, tha dëshmitari Sopi.
“Duke qenë se jeni familje, ishit takuar me raste, me ndeja të ndryshme, ka ndodhur kështu” pyeti Mihailzcuk, gjë të cilën dëshmitari e konfirmoi.
I pyetur lidhur me atë se sa është larg nga shtëpia e tij, ajo e Salih Mustafës, kurse, dëshmitari tha se nuk janë larg me shtëpi nga njëri-tjetri.
Ndërkaq, tha se Salih Mustafën e njeh qysh kur kishte dalë nga burgu ky i fundit, vitin ’96 apo 97 pasi kanë shkuar ta vizitojnë bashkë me vëllanë e tij, i cili e ka pasur nxënës dhe ka qenë profesor i Mustafës.
Sipas dëshmitarit, kur shkoi për të marrë injeksion në Mramor pasi ishte i ftohur, nuk ishte kontrolluar nga serbët, pasi atë kohë nuk ka pas pikë kontrolli nga ana e tyre në atë pjesë.
“Në prill ka qenë, fillimi i prillit besoj. Kam shku nja 2 orë, 2 apo 3 orë dhe jam kthy prapë në Butovc”, tha dëshmitari, duke iu referuar kohës kur ka shkuar për të marrë injeksionin.
“Kanë qenë të vendosura, por pozicioni kah kanë qenë të vendosur kanë qenë nga Gërmia, Prishtina dhe ku kemi banu kemi pas edhe ushtrinë. Ka qenë nga pjesa që jemi lëshu na, ka Mramori dhe në atë pjesë fatmirësisht ajo rrugë ka qenë e lirë. Por, te Badovci kanë qenë të pozicionum, por korridori ka kemi shku na deri 14-15 prilli ka qenë më zonë e lirë”, tha dëshmitari, duke iu referuar pikave të kontrollit.
Kurse, deklaroi se kjo është diçka që po e plotëson që i ka ra në mend dhe beson që nuk ka diçka të keqe këtu.
“Kam mujt harresë, lodhje që mos me i përfshi të gjithë. M’i përfshi krejt duhna gati 50 ditë me nejt, po brumin po e dho, esencën”, tha ai duke u përgjigjur në pyetjen pse nuk ka përmendur pikat e kontrollit në deklaratën që i ka dhënë mbrojtjes e prokurorisë.
Kur është pyetur se çfarë roli ka pasur në UÇK, dëshmitari tha se që ka qenë ushtar dhe gjithmonë është ndierë mirë për këtë, edhe atëherë e edhe sot.
Ndërkaq, i pyetur se a ka qenë pjesë e ndonjë njësie apo nën-njësie të UÇK-së, ai tha se e ka kryer punën si ushtar pa diskutuar se a i përket një njësiti apo grupi.
“Keni përmendur Hazir Borovcin, Mustafë Sopin, Jakup Ismailin e të tjerë. A e kuptoj drejt që të gjithë këta persona, a ishin edhe këta të gjithë pjesëtarë të njësitit të UÇK-së ku ishe ti”, pyeti prokurori Mihailzcuk.
Sopi e ka konfirmuar këtë, ndërkaq tha se përgjegjës e kanë pasur Mustafë Sopin që ka pasur rregulla rigoroze.
“Pra, a e kuptoj drejt se ajo çfarë po thoni tani është që drejtuesi i njësisë së UÇK-së ishte Mustafë Sopi”, pyeti Mihailzcuk, kurse dëshmitari konfirmoi këtë.
Ndërkaq, tha se njësiti i tij nuk ka qenë i përfshirë direkt në beteja, duke thënë se kanë vëzhguar dhe kujdestaruar non-stop.
Ai konfirmoi se funksioni i njësisë ku bënte pjesë ishte mbrojtja e popullatës civile në Butovc, t’iu siguronin strehim, ushqim, veshmbathje e barna. Po ashtu, konfirmoi se funksion kishin edhe vëzhgimin e forcave serbe. Ai shtoi se funksion kanë pasur edhe logjistikën.
“A keni qenë pjesëtar i njësitit që quhet BIA, njihet edhe me emër tjetër “Skifterët”, ka pyetur prokurori.
“Në atë kohë nuk kam pas informacione, ma vonë e kam kuptu që ka qenë bile guerila është quajt BIA nga tre heronj, Bahriu, Iliri dhe Agroni”, tha dëshmitari që tha kyçja e tij ka qenë nga fillimi në ’98.
Kurse, tha se nuk kanë pas administratë të regjistronin gjërat, pasi ushtria e tyre ka dalë nga gjiri i popullit dhe organizimin e kanë pas nga populli, por edhe vullnetar.
“Këtë e kam kuptu dhe ma kanë shpjegu diku ka maji i vitit 1999”, tha ai, duke shtuar se nuk kanë mbajtur të dhëna, administratë apo shumë informacione, për shkak të rrezikut nga forcat serbe, në rast se do të zinin dikë nga ushtarët.
Ai tha se diku në maj të vitit 1999 e ka kuptuar dhe e ka ditur se ka qenë pjesë e njësitit BIA.
“Një pjesë të madhe të familjes e kam pas në luftë që edhe me ta kam mujt me pas njësit. Se di çka prish punë ajo nëse kam qenë. Kam qenë i plagosur dhe nuk kam pasur mundësi të merrem me secilin detaj”, tha dëshmitari Sopi.
Ndërkaq, tha se në atë kohë nuk ka pasur njohuri se kush ka qenë komandant i njësitit BIA-së.
“Përgjegjësi ka qenë Mustafë Sopi, vëllai im. Për fazën që po flasim, e di që përgjegjës e kemi pasur Mustafë Sopin. Për ma vonë, e kam kuptu që ka qenë komandant Salih Mustafa”, tha dëshmitari.
“Është arsyeja se pse vullnetarisht nuk e dhatë informacionin se keni qenë pjesëtar e BIA-s, pasi nuk donit të thonit që komandant ka qenë Salih Mustafa”, pyeti prokurori Mihailzcuk.


