Lajme

Dëshmitari: Kadri Veseli ishte shef i ZKZ-së, pas lufte i SHIK-ut

01/28/2025 15:54
nga:N K

Dëshmitari Naser Krasniqi ka thënë në Hagë se tashmë i akuzuari Kadri Veseli ka qenë udhëheqës i sektorit për Zbulim-Kundërzbulim (ZKZ) gjatë kohës së luftës dhe pas saj si shef i Shërbimit të Informimit të Kosovës (SHIK).

“Gjatë luftës është njohur si udhëheqësi apo shefi i ZKZ-së ndërsa më vonë pas themelimit të SHIK-ut ka udhëhequr SHIK-un”, tha dëshmitari.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se gjatë kohës së luftës, pothuajse të gjithë në Brigadën 121 i kanë ditur pozicionet e anëtareve të Shtabit të Përgjithshëm.

“Në komandën e brigadës ne i dinim pjesën dërrmuese të pozicioneve të shtabit të Përgjithshëm për shkak të afërsisë fizike që kishim me ta”, tha ai.

Ndërsa, Krasniqi tha se nuk ka pasur takime me Veselin për të diskutuar çështje të ngjashme si ajo për Krojmirin.

“Mund ta kem parë por asnjëherë nuk ka ndodhur që ta trajtojmë ndonjë çështje konkrete”, tha Krasniqi.

Ndërsa, për pas luftës, dëshmitari Naser Krasniqi tha se Kadri Veseli i ka bërë ofertë që t’i bashkohet SHIK-ut.

“Pas luftës me ka bërë ofertë që të inkuadrohem në SHIK”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se oferta i ka ardhur në fund të 99-ës ndërsa vendimin për inkuadrim ai e kishte dhënë në pranverë të vitit 2000.

Pas pushimit të drekës, Prokurorja Vega Iodice u fokusua tek pyetjet lidhur me rastin e një personi të quajtur Petrit Hoxha. Për këtë dëshmitari tha se është njëri prej rasteve që është marrë vetë ai.

Në dokumentin që iu prezantua dëshmitari tha se mbanë nënshkrimi i tij si dhe nënshkrimi i prokurorit ushtarak i cili ka pranuar lëndën për Petrit Hoxhën.

Kurse për një dokument tjetër, dëshmitar tha se i përket të njëjtës lënde gjyqësore dhe është deklarata që i është marrë personit të dyshuar.

“Unë personalisht nuk e kam procedu, nuk ia kam marrë deklaratën personalisht dhe nuk e kam pa fizikisht Petrit Hoxhën. Mirëpo, me aq sa di dhe bazuar në shkresat e lëndës, i njëjti duhet të ketë qenë i ndaluar. Por edhe nëse ka qenë i ndaluar, nuk e di se kush mund ta ketë dërguar në qendrën e mbajtjes”, tha Naser Krasniqi.

Si rrjedhojë, këto dokumente që u diskutuan me dëshmitarin u pranuan në prova materiale me kërkesën e Prokurorisë./BetimipërDrejtësi/