Është duke u zhvilluar seanca gjyqësorë ndaj Salih Mustafës në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Me këtë rast ka dëshmuar për herë të parë dëshmitari i katërt me radhë në drejtim të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Deri më tani ndaj Mustafës kanë dëshmuar tre dëshmitarë.
Përgjatë pak minutave ku u transmetua seanca gjyqësore e sotme dëshmitari theksoi se ishte mbajtur në një ahur në Zllashë.
Madje ai tha se njerëzit të cilët i kishte parë kishin uniforma të UÇK-së, pra ku i shihej edhe flamuri.
“Po si zakonisht uniformat e UÇK-së shenjën e flamurit s’ka pas diçka tjetër. S’kisha kurrfarë ndjenje që me dit a diçka…Po nga jashtë isha poshtë, ishte dy katëshe e poshtë ishte një dere e vjetër, u hap dera e hym brenda. S’ishte edhe i vogël po as jo shumë i madh…Aty ishte ku mbaheshin kafshët.
E kishte një dritare të vogël. Pra ishte dera dhe dritarja.Aty kanë qenë edhe katër persona tjerë, i kom ngjeh”, tha dëshmitari.
I njëjti është pyetur nëse ky vend ruhej me roje nga jashtë?
Ai me këtë rast theksoi se nuk i kishte parë.
“Nuk e kam parë… s’kom pa që ka pas roje. Po kur ma kanë pru bukën mendoj se ai ka qenë roje, paradite na kanë pru edhe ushqim sa kemi dashtë edhe ushqimi ka qenë i mjaftueshëm. Qat ushqim qe e kanë hëngër ata vetë na kanë pru dhe neve brenda. Kom qëndru prej 4 deri më 18-19… më duket se ka qenë 19 prill.Kushtet ishin çnjerëzore kur hyn brenda aty trajtohet krahasohet me kafshët jo si njeri”, deklaroi ai.
Tutje dëshmitari tha se nuk di si mund të përshkruajë kur njeriu papritmas dërgohet në një vend që se ka pas as ëndërr atë.
Ndryshe në seancën e së martës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës për krime lufte, avokati i këtij të fundit, Julius Von Bone ka thënë se publikimi i fotografive që u paraqiten dëshmitarëve gjatë gjykimit mund të ndikojë në dëshmitarët e ardhshëm.
Sipas avokatit Von Bone, të gjithë në Kosovë dhe dëshmitarët që do të paraqiten në sallë mund të shohin fotografitë në fjalë dhe një gjë e tillë mund të ndikojë në dëshminë e tyre.
“Thjeshtë e ngrita si çështje këtë për personat përkatës, nuk mendoj se është gjë e mirë që fotografitë që përdoren për të identifikuar nga ana e disa dëshmitarëve në një moment të caktuar janë të publikuar në televizor gazeta e kështu me radhë, sepse personat mund të ndikohen prej kësaj, mund t’i kërkojmë këto fotografi t’i shikojnë dhe nëse nuk ka fotografi tjera që ju tregohen dhe nëse dikush jep dëshmi në gjykim dhe këto janë dokumentet që i tregohen dëshmitarit ka mundësi t’i ketë parë më përpara”, ka thënë ai.
Avokati Von Bone ka shtuar se nëse dëshmitarët i kanë parë më përpara këto fotografi, ka mundësi të jenë të përgatitur për dëshminë në një mënyrë të caktuar.