Dëshmitari i dytë i mbrojtur në rastin e Salih Mustafs ka thënë se nuk ka njohuri nëse ndonjë person është mbajtur i ndaluar në kompleksin në Zllashë.
Ai derisa i është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Mustafës, ka thënë se nuk ka dëgjuar ndonjëherë për diçka të tillë.
Avokati Von Bone: Zoti dëshmitar, me aq sa di ti a është mbajtur ndonjë person i ndaluar ndonjëherë në kompleksin e Zllashit?
Dëshmitari: Nuk e di që është mbajtur, nuk kam njohuri që ka pasur diçka të tillë aty.
Avokati Von Bone: A ke dëgjuar nga të tjerët për një gjë të tillë ndonjëherë?
Dëshmitari: Nuk kam dëgjuar asnjëherë.
Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se pjesëtarët e njësisë BIA kanë bartur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Avokati e ka pyetur dëshmitarin se nga e di ai që baza ishte nën kontrollin e BIA-s, raporton lajmi.
Avokati Von Bone: Baza për të cilën ke folur, kompleksi për të cilin ke folur a ke dijeni ti nëse ka qenë nën kontrollin e njësisë BIA? Nga e di ti këtë që kjo bazë ishte nën kontrollin e BIA-s, baza për të cilën folëm më herët?
Dëshmitari: Po të kundërpërgjigjem në pyetje, nga e di kush është kryetar i komunës këtu në këtë vend, ju nga e dini..
Këtu ka ndërhyrë kryetarja e turpit gjykues duke i kërkuar dëshmitarit që të përgjigjet dhe jo të bëjë pyetje.
“Shumë thjeshtë, e kemi dite se BIA ka qenë baza e skifterëve ka qenë në atë pjesë atje, e ka ditë çdo ushtar, e kam ditë edhe unë, ndoshta edhe shumë qytetarë e ka ditë që ka qenë baza e BIA, ata kanë komanduar në atë pjesë aty, në atë lokacion”, ka thënë dëshmitari.
Ndërsa avokati e ka pyetur nëse ka diskutuar ndonjëherë me Salih Mustafën nëse ai apo njësia e ti e kontrollonte lokacionin në Zllashë.
Avokati Von Bone: A ke diskutuar ndonjëherë me zotin Mustafa, që ai ose njësia e tij kontrollonte lokacionin në Zllashë?
Dëshmitari: Këtë pyetje që po e bënë është sikur me u qu me i thënë mësuesit jo nuk është kështu por kështu.
Ndër të tjera, dëshmitari ka thënë se BIA nuk kishte ndonjë bazë tjetër përveç asaj në Zllashë dhe ka shtuar që nuk i takuar ata në ndonjë tjetër vend.
“Nuk di asgjë më shumë se veç ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ka qenë njësitë i ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por u thirr me BIA, por faktikisht ne më shumë i kemi thënë Skifterët”, ka thënë dëshmitari kur është pyetur se çka di rreth BIA-s.
Ai ka shtuar shtabi i përgjithshëm i Brigadës 153 ka qenë në shkollën e Zllashit.
Avokati Von Bone: Cili ishte pozicioni i Rrahman Dinit?
Dëshmitari: Sa e di unë pozicioni i Rrahman Dinit ka qenë shef i shtabit të brigadës, aq sa e di unë.
Avokati Von Bone: Ku ndodhej, ku ishte i lokalizuar?
Dëshmitari: Shtabi i brigadës ka qenë në shkollën e Zllashit.
Avokati Von Bone: Njësia BIA a ishte në të vërtetë një njësi që bënte pjesë në brigadën 153?
Dëshmitari: Njësia BIA nuk ishte pjesë e brigadës 153 por ishte pjesë e zonës Operative të Llapit.
Avokati Von Bone: BIA a kishte ndonjë autoritet mbi policinë ushtarake, a kishte BIA autoritet mbi brigadën?
Dëshmitari: Nuk e di, jo nuk e besoj.
Dëshmitari i dytë i mbrojtur në rastin e Salih Mustafës, është marrë në pyetje në seancë të mbyllur nga mbrojtësja e viktimave derisa edhe në pyetjet e avokatit mbrojtës seanca ka qëndruar e mbyllur në të shumtën e kohës.
Dëshmitari i dytë do të paraqitet edhe të hënën para trupit gjykues.
Dëshmitari W04600 është përgjigjur edhe në pyetjet e prokurorit, në pjesën e parë të seancës, të cilit i ka thënë se komandant Cali ka bartur një kapele të kuqe dhe ka qenë në uniformë të UCK-së në të shumtën e kohës.
Në këtë seancë të cilën Salih Mustafa e ka përcjell përmes video-lidhjes, dëshmitari ka thënë se nuk ka njohur se kush ka qenë eprori i drejtpërdrejtë i komandant Calit por ka shtuar se ai ka pasur një zëvendës të njohur si “Dardani”.
Ndërsa dëshmitari i parë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Salih Mustafës, Ë03593 e ka përfunduar dëshminë e tij dje, i njëjti kishte dëshmuar për katër ditë më radhë në Dhomat e Specializuara.
Salih Mustafa, i njohur në luftë si komandant Cali, është i arrestuari i parë nga Specialja dhe ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.