Lajme

“Dëshmitar i dyshimtë, a jam dëshmitar apo i dyshimtë?”, Behrami për Gjykatën Speciale

09/22/2026 22:48
nga:L J

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, në emisionin “Click” të RTV21, ka hedhur pretendime të forta lidhur me mënyrën se si, sipas tij, Prokuroria e Specializuar dhe Gjykata Speciale kanë vepruar ndaj dëshmitarëve gjatë procesit në Hagë.

Behrami tha se gjatë viteve të procesit janë përdorur, sipas tij dezinformata, përfshirë pretendimet se do të merreshin komandantët e UÇK-së.

“Gjykata Speciale, në vazhdimësi, Prokuroria ka lëshuar kësi dezinformatash se kanë me i marrë komandantët. Kjo ka qenë para dy-tri vjetëve, ka qenë mënyrë për me i disiplinuar”, tha Behrami.

Ai përmendi edhe trajtimin e disa personave si “dëshmitarë të dyshimtë”, duke e vënë në pikëpyetje këtë praktikë.

“Tjetra ka qenë ‘dëshmitar i dyshimtë’. Ku ka tash, a jam dëshmitar apo i dyshimtë?”, u shpreh ai.

Sipas Behramit, këto praktika kanë shërbyer, sipas pretendimit të tij, si formë presioni ndaj personave që mund të dëshmonin në proces.

“Pra, këto kanë qenë forma të Gjykatës Speciale për me iu thënë atyre: ju flisni qysh të ju themi ne, flisni kundër tyre. Nëse nuk flisni kundër tyre, ne ju marrim juve”, deklaroi Behrami.