Sporti

‘Dëshirë, guxim dhe zemër’; Calhanoglu zbulon çelësin e suksesit ndaj Barcelonës

10/11/2022 15:46
nga:L J

Hakan Calhanoglu do të jetë pjesë e ndeshjes Barcelona-Inter që nga minuta e parë, ndoshta në pozicionin qendror të mesfushës, detyrë që Simone Inzaghi ia ngarkoi tashmë edhe në sfidën e parë, javën e kaluar në “San Siro”. Një rol, ai i “regjisorit” të lojës së zikaltërve, në të cilin, megjithatë, turku nuk është ende plotësisht i qetë.

“Nuk jam mësuar, – shpjegon ai për ‘Amazon Prime Video’. – Ndihem më mirë me një mesfushor tjetër pranë meje. Kështu luaj gjithmonë në kombëtare. Nga ana tjetër, në ndeshjen e parë ndaj Barcelonës kisha pranë Barella dhe Mkhitaryan që më dhanë dorën, bëmë një punë të shkëlqyer”.

Turku ishte “heroi” i fitores 1-0 ndaj Barcelonës të martën e kaluar në “San Siro”, sepse shënoi golin e vetëm të ndeshjes. Ai zbuloi çelësin e suksesit ndaj një kundërshtari me shumë potencial:

“Barcelona është e fortë, ka lojtarë të rëndësishëm. Ne ishim gati psikologjikisht. Kur dilni në fushë, e dini se duhet të jepni gjithçka në Champions. Ne punuam si ekip në fushë. Bëmë shumë për njëri-tjetrin me dëshirë, guxim, zemër”.

Mesfushori zikaltër zbuloi edhe një prapaskenë që e paralajmëroi golin e tij ndaj katalanasve: “Para ndeshjes, Onana dhe Romelu erdhën tek unë dhe më thanë të provoja të godisja në portë nga distanca. Dhe në rastin e golit gjuajta shumë mirë…”

Sidoqoftë, kthimi në “Camp Nou” do të jetë histori tjetër, në një stadium që premton të jetë “ferr” për zikaltrit, sidomos pas polemikave për gjykimin: “Ne e dimë se do të jetë e vështirë në kthim, por do të japim më të mirën. Nëse punojmë kështu në fushë, 90 minuta deri në fund, nuk mendoj se skuadrat e tjera kanë shanse të fitojnë kundër nesh”.

Calhanoglu ka një thirrje publike edhe për bashkëlojtarin, që po vuan nga dëmtimi prej disa javësh: “I thashë Romelu të përshpejtonte pak me rikuperimin. Është normale që një lojtar si ai të na mungojë. Lukaku po punon shumë mirë dhe bën të pamundurën për t’u rikthyer në ekip”./noa.al