Sporti

Derbi Inter-Milan zhvendoset në merkato, dy objektiva të përbashkët

06/22/2023 16:03
nga:Mergim Rreci

Pas 4 përballjesh në fushë sezonin që lamë pas, derbi Inter-Milan është zhvendosur në merkato, teksa dy klubet e mëdha italiane janë gati të sfidojnë njëra-tjetrën në disa objektiva të përbashkët.

Një ndër ta është sulmuesi francez Marcus Thuram, të cilit i ka skaduar kontrata me Borussia Monchengladbach dhe është i lirë të vendosë vetë të ardhmen e tij. Interi ka provuar ta sjellë edhe më herët në “San Siro”, teksa tani të dy klubet e Milanos po bëjnë përpjekjet për t’i marrë firmën mbi kontratë.

Natyrisht bëhet fjalë për një futbollist që vjen me parametra zero dhe në kushtet ekonomike që të dy klubet kanë, firma me sulmuesin e talentuar, do të ishte një arritje mjaft e mirë në merkato.

Një tjetër objektiv i përbashkët është edhe mesfushori italian i Sassuolos, Davide Frattesi. Ky i fundit ishte pranë Interit, por Milani është futur fuqishëm në garë dhe po provon ta kalojë në anën kuqezi të qytetit.

Kuqezinjtë kanë avantazhin e pagesës së menjëhershme, pasi sapo kanë arkëtuar 70 milionë euro për shitjen e Sandro Tonalit te Newcastle, ndërsa te Interi duhet të presin ende, para se të nisin ofensivën për mesfushorin italian Frattesi.