Deputetja e LVV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që t’ia kthejë arkivat zyrës së kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.
Kjo pasi sipas saj, një veteran në mungesë të një dokumenti të thjesht nuk mund t’i gëzojë të drejtat e tij që i takojnë me ligj.
“Por mungesa për kaq kohë të gjatë e arkivave në zyrën për çështjet kategorive të dala nga lufta të UÇK-së, ka rezultuar me pamundësinë e ushtrimit të të drejtës themelore të një veterani”, tha ajo në Kuvendin e Kosovës.
Mes tjerash, ajo kërkoi hetim “urgjent” nga prokuroria për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së.
“Sa vite i duhen prokurorisë ta bëj një hetim të tillë? I bëjmë thirrje që sa më shpejt që zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta t’i vihet në dispozicion arkiva e saj. I bëjmë thirrje që Prokuroria ta kryej punën e vet në zbardhjen e çdo shkeljeje që ka çuar në fryrjen e listës së veteranëve”, shtoi ajo në seancën e sotme plenare.
Ligjvënësja e pushtetit tregoi se mund të ketë veteranë që kanë aplikuar për t’u pajisur me letërnjoftim, por në pritje të saj, “ai ose ajo mund të mos jenë gjallë sot”.
“Hetimi i shkelësve që ligjit është i domosdoshëm, por s ‘duhet t’i penalizojë veteranët e vërtetë që të pajisen me dokumentet e nevojshme. Në emër të veteranëve të UÇK-së kërkoj nga prokuroria që të gjejë mënyrën sa më të shpejt për kthimin e arkivës në vendin e saj në zyrën për çështjet e kategorive të dala nga lufta, duke qenë të bindur se kjo nuk i pengon hetimet e mëtutjeshme”, ka deklaruar Selimi.


