Lajme

Deputetja Kica-Xhelili tregon pasojat e mundshme të zbulimit të pjesshëm te kontratave të MSH-së

04/17/2021 09:48
nga:M K

Deputetja e Listës “Guxo”, Doarsa Kica-Xhelili përmes një postimi ka reaguar në lidhje me lajmet e mediave se Ministria e Shëndetësisë po refuzon të nënshkruaj dokumentet e për sjelljen e vaksinave.

Sipas deputetës Kica-Xhelili tentativa për zbulimin e pjesshëm të informatave dhe kontratave të MSh-së ka pasojat e veta.

Në postimin e saj, deputetja ka treguar pasojat potenciale të zbulimit eventual.

Postimi i plotë i saj:

Hajde ta analizojmë veç pak më ndryshe tentativën e mediave të cilat zbulimin e pjesshëm të informatave/kontratave të Ministrisë së Shëndetësisë po e quajnë “kontribut të interesit publik”.

Ja një interpretim i shkurtë potencial i pasojave eventuale të zbulimit.

1. Gjatë negociimeve të marrëveshjeve të ndryshme, sidomos marrëveshje të këtij niveli, gati gjithmonë periudha e negociimit me të gjitha dokumentacionet dhe modalitetet përkatëse janë konfidenciale. Dhe në fakt, zbulimi i këtyre të dhënave nga cilado palë, qoftë edhe i paqëllimshëm (sepse kryesisht pala zbuluese konsiderohet pala nga cila kanë rrjedh pavarësisht nëse rrjedhja ka qenë me ose pa vetëdije, me ose pa qëllim, dhe me ose pa veprim a mosveprim adekuat të mbrojtjes) e rrezikon komplet procesin.

Pse? Sepse kushtet kontraktuale ndryshojne nga shteti në shtet. Nga ofruesi/marrësi i “produktit” te tjetri. Dhe palët negociojnë në mirëbesim duke synuar t’mos hapin qarqe që një X marrëveshje e mëparme apo mëvonshme të shërbej si standard negociimi.

2. Çka për interesin publik? Nuk mohohet absolutisht interesi publik për këtë çështje. Por, ky interes nuk është absolut. Interesi publik duhet të jetë proporcional me pasojat e një zbulimi të tillë. Në qoftë se ti publikon marrëveshje/komunikime konfidenciale, duke e rrezikuar besueshmërinë e institucionit te partneri negociues, je në shpërputhje proporcionale sepse dëmi i rrezikimit të humbjes së partnerit me të cilin po negociohet këtu, është skajshmërisht më i madh se përfitimi nga publikimi i një pjese të përmbajtjes. Theksoj – një pjese -, sepse me asgjë nuk u konfirmua faza e negociimit/nënshkrimit.

3. Në linjë të pikës 2 më sipër, në përputhje me Ligjin 02/L-65 Civil Kunder Shpifjes dhe Fyerjes, interesi publik vjen në pah kur përgjatë publikimit, si standard shërben “qëllimi i mirë” i publikuesit (shiko Nenin 7). Komplet formati i shpërndarjes së “lajmit” në rastin konkret, jep ngjyrim tendencioz sepse rrezikon besueshmërinë mbi aftësinë e institucioneve tona para palës tjetër, lidhur me zbatimin e dispozitave të konfidencialitetit të negociimit, e rrjedhimisht rrezikon vet vaksinat.

Mediat dijnë të jenë profesionalisht më të përgjegjshme se kaq, dhe nuk preferoj të mendoj se si të tilla nuk kanë mundur ta parashohin dëmin eventual.

Prandaj, pyes, interesi i kujt, saktësisht, u synua me këtë zbulim?!

https://www.facebook.com/doarsakica/photos/a.106768384740983/137280328356455/?type=3

LEXO EDHE:

Aksident i rëndë në fshatin Raçë të Gjakovës, tre të vdekur