Lajme

Deputetja e PDK-së: I gëzohemi një ftesë të mundshme nga SHBA-të për Osmanin – Qeveria Kurti, e para pa asnjë vizitë në Shtëpinë e Bardhë

04/03/2024 10:36
nga:G B

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur së fundi një bisedë telefonike me ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien, me të cilin ka diskutuar për përmbushjen e zotimeve të dialogut të Bashkimit Evropian dhe çështjen e dinarit.

Lidhur me këtë bisedë e raportet Kosovë-SHBA dhe mungesa e komunikimit me Qeverinë, për Gazeta Blic ka folur deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Ajo thotë se qeveria Kurti është qeveria e parë që s’ka pasur vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se shpreson që të mos përsëritet më një raport i tillë si tani me SHBA-të dhe qeverinë.

“Nuk kisha dashur të komentoj se me cilin i kanë SHBA-të marrëdhëniet më të mira, ajo çfarë ne dimë është që është qeveria e parë që nuk ka pasur vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, kjo fol shumë për marrëdhëniet që i kanë me SHBA-të. Të gjithë e dimë kush është fajtori. Pse nuk na ftojnë? Të gjithë e dinë. Shpresoj që një qeveri e tillë në nivel të tillë të bashkëpunimit me aleatin tonë kryesor SHBA të mos përsëritet asnjëherë”, vlerëson deputetja për Gazeta Blic.

Lidhur me një ftesë të mundshme për vizitë në Shtëpinë e Bardhë, Musliu-Shoshi thotë se i gëzohen një lajmi të tillë, pasi është për të mirën e të gjithëve.

“Presidentja është përfaqësuese e politikës së jashtme dhe një vizitë e tillë do të na gëzonte të gjithëve, edhe neve si parti opozitare sepse tek e fundit çështjet kryesore që ne ballafaqohemi si vend na përkasin të gjithëve sepse të gjithë jemi duke jetuar në këtë vend dhe marrëdhëniet e mira me aleatët tanë na gëzojnë të gjithëve sepse asnjëherë nuk kemi pasur dëm prej bashkëpunimit me SHBA-të, përkundrazi gjithçka çka kemi e kemi falë ndihmës së tyre që e kanë bërë me Kosovën dhe një ftesë e tillë vlerësoj se do të jetë e mirëseardhur”, deklaron Ariana Musliu-Shoshi./Gazeta Blic/