Lajme

Deputetja e PDK-së: Aplikim i Kosovës në Këshillin e Evropës do të mbetet në sirtar deri me 2023

06/30/2022 08:36
nga:G B

Më 12 maj Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Mirëpo, shteti nuk ka marrë tash e një muaj asnjë përgjigje nga kjo organizatë.

Kosova nuk ishte në agjendën e mbledhjes së komitetit të ministrave që u mbajt.

E ky aplikim i Kosovës në KE do të mbetet në sirtarë deri në 2023.

Kështu ka thënë Ariana Shoshi Musliu, anëtare në Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

“E kam thënë që nga dita e parë që nuk mund të jemi në agjendë të Këshillit të Evropës nëse nuk ka pas konsultim paraprak dhe zotin për mbështetje nga shtetet tona mike. Pasi që nuk kemi qenë në agjendë në mbledhjen e komitetit të ministrave në maj, sipas rregullave dhe procedurave, kërkesa e Kosovës për aplikim në KE do të mbesë në sirtarë deri në maj të vitit 2023”, tha ajo për Front Online.

Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, duke thënë se shpreson për një përgjigje pozitive.

“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Parlamentare dhe Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, kishte thënë Gërvalla.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.