Lajme

Deputetja e LDK-së tregon se si Gjermania mund ta vendosë dialogun në binarë

05/04/2022 17:27
nga:Genita C

Deputetja e LDK-së, njëherësh kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, ka folur për takimin e sotëm të kryeministrit Albin Kurti, me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin.

Në një prononcim për Gazetën Blic, ajo ka kritikuar Qeverinë për qasjen me dialogun, për çka thotë se rrezikohet kthimi prapa.

“Qeveria Kurti ka ndërtuar një qasje të gabuar me dialogun, me çka e kanë vendosur në rrezik edhe kthimin mbrapa në këtë proces. E gjitha çfarë kemi parë deri më tani ka qenë papërgatitja e plotë e qeverisë Kurti në raport me dialogun, e cila është shoqëruar në vazhdimësi edhe me mungesë të transparencës. Shpeshherë Kuvendi i Republikës së Kosovës si organi më i lartë legjislativ është njoftuar i fundit me agjendën e takimeve në kuadër të dialogut, me çka e kanë shkelur edhe një rezolutë të cilën vetë e kanë votuar, e cila obligon Qeverinë që para dhe pas çdo takimi të njoftojë Kuvendin për agjendën e diskutimit, gjë që nuk ka ndodhur”, ka thënë ajo.

Andaj sipas deputetes, takimi me kancelarin gjerman mund ta vendosë në binarë dialogun, nëse veprohet në bazë të rekomandimeve.

Ajo shton se dialogu duhet të mbyllet me njohje reciproke.

“Në këtë kontekst, takimi i sotëm me Kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz, konsideroj se mund ta vendos dialogun në binarë, nëse merren për bazë rekomandimet dhe veprohet në koordinim me ta, sepse deri më tash kjo qeveri nuk ka qenë bashkëpunuese. Është e patjetërsueshme që dialogu të mbyllet me njohje reciproke, nuk ka kthim mbrapa në këtë drejtim”, ka deklaruar Rrezarta Krasniqi për Gazeta Blic.