Lajme

Deputetja e LDK-së: Kjo është Qeveri praktikantësh, pa plan dhe ide

07/29/2022 18:05
nga:E K

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pasi Instituti GAP ka publikuar të dhënat për investimet kapitale të realizuara në periudhën janar-qershor që nga vitit 2012 në nivel qendror dhe lokal. Aty shihet se në vitin 2022, investimet në nivelin qendror janë relizuar vetëm 9 për qind.

Krasniqi, në një shkrim në Facebook, e ka quajtur Qeverinë e drejtuar nga Kurti qeveri praktikantësh.

“Të dhënat e prezantuara nga Instituti GAP janë dëshmi e asaj që e kemi potencuar vazhdimisht. Qeveri praktikantësh, pa plan dhe ide”.

“Në 10 vitet e fundit nuk ka pasur më pak investime kapitale se sa në këtë vit. Në vend të investimeve kapitale, rekord për dështime kapitale. Qeveria Kurti!”, thekson deputetja.

Ajo që vihet re në këto të dhëna, është që Kosova në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022 nën drejtimin e Kurtit si kryeministër ka përqindjen më të vogël të investimeve kapitale si në nivel qendror po ashtu edhe në nivel lokal.

Siç shihet në tabelat e publikuara nga GAP, investime kapitale në nivelin qendror në gjashtë mujorin e parë janë 9% derisa në nivelin lokal janë 19 %.

Situata s’ka qenë kaq e keqe me investimet kapitale as në vitin 2020 kur kishte shpërthyer pandemia.