Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, njëherësh kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, ka folur për vizitën e Escobar dhe Lajçak në Kosovë dhe takimet e tyre me krerët e shtetit dhe liderët e opozitës.
Në një prononcim për Gazeta Blic, ajo thotë se angazhimi i shtuar i SHBA-ve dhe BE-së në dialog tregon se jemi afër marrëveshjes finale, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen.
“Angazhimi i shtuar i ShBA-së dhe Brukselit karshi dialogut Kosovë – Serbi, jep indikacione të qarta se ndodhemi në një momentum tepër të rëndësishëm për t’i dhënë epilog çështjes së dialogut me arritjen e marrëveshjes përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke, për çka ne si LDK vazhdojmë të japim kontributin tonë edhe në opozitë”, thotë ajo.
Sipas saj, qeveria duhet të punojë ngushtë me SHBA-të dhe Brukselin dhe do të ishte dëm i madh nëse ajo e refuzon vullnetin e tyre.
“E ceka edhe më lartë, se tashmë kemi hyrë në momentum të rëndësishëm, andaj duhet të punojmë ngushtë me ShBA-në dhe Brukselin, për të arritur marrëveshjen finale me shtetin serb. Do të ishte dëm i madh për vendin nëse kjo qeveri do ta refuzonte vullnetin e aleatëve tanë strategjik”, vlerëson deputetja e LDK-së për Gazeta Blic.
Sa i përket mundësisë për tensione në veri me 1 shtator dhe një marrëveshje para kësaj date, Krasniqi thotë se derisa KFOR-i gjendet në veri, nuk do të ketë tensione.
“Fakti se kemi prani të shtuar të KFOR-it në Veri, nënkupton se nuk do të ketë përsëritje të situatave tensionuese. Qytetarët duhet të jenë të qetë për këtë dhe të mos ndihen të pasigurt”, potencon Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/


