Lajme

Deputetja e LDK-së i reagon Haxhiut: Dikush t’ia kujtojë se është ministre e drejtësisë, e nuk guxon të flasë e veprojë siç po bën

03/28/2023 19:50
nga:G B

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj ministres Albulena Haxhiu, për të cilën ka thënë se dikush duhet t’i tregojë se është ministre në një shtet demokratik, ku pushtetet janë të ndara dhe nuk mund ta kontrollojë gjyqësorin, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se dikush duhet t’ia kujtojë kësaj ministreje se është ministre e drejtësisë dhe jo e fushatës linquese.

Ajo ka shtuar se kjo nuk guxon të flasë e të veprojë kështu siç po bën.

Në fund, deputetja ka thënë se i gjithë ky rikujtim për këtë do të jetë i kotë, pasi e ka provuar shumë herë këtë privatisht e publikisht por që ajo e ka marrë personalisht.

Postimi i saj i plotë:

Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se është ministre në një shtet DEMOKRATIK – ku pushtetet janë të ndara dhe nuk mund ta kontrolloj gjyqësorin (fatmirësisht për demokracinë).

Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se është ministre e DREJTËSISË – e jo ministre e vazhdueshme e fushatës linquese. Se sundimi i ligjit që ajo e shndërron në mbiemër personal në fushatë, duhet të jetë mbiemër në zbatim kur drejton institucion.

Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se NUK KA TË DREJTË ta komentoj përmbajtjen e vendimeve gjyqësore e aq më pak Gjykatës Kushtetuese kur i rrëzon vendimet e SAJ. As kjo Gjykatë e as kjo demokraci nuk janë krijuar falë Ministres Haxhiu, në fakt MË SË PAKU falë mendësisë që kjo shumicë po shpërfaq.

Por, ajo është ministre e kësaj demokracie parlamentare dhe duhet OSE ta respektoj këtë demokraci, ose të zhvendoset në një shtet autokratik që përkon me ideologjinë e saj.

Dhe kur ia kujtoni gjithë këto, ia kujtoni që është Rekomandim i Këshillit të Evropës që kjo ministre NUK GUXON të flas si flet e të veproj si vepron.

Paragrafi 18 i Rekomandimeve të Këshillit të Evropës për pavarësinë e gjyqësorit [CM/Rec(2010)12]:

“Nëse komentohen vendimet e gjyqtarëve, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të shmangin kritikat që do të minonin pavarësinë ose besimin e publikut në gjyqësor (…) përveç deklarimit të qëllimit të tyre për të apeluar/ankimuar.”

Në fund, ua rikujtoj juve dhe ndoshta pak vetes, që i gjithë ky (ri)kujtim karshi saj do të jetë potencialisht i kotë.

Kam provuar. Ia kam thënë të gjitha. Privatisht e publikisht. Sa herë kam bërë thirrje në këto rekomandime, këto standarde, e këto shtylla demokratike, ajo e ka kthyer në personale. Ajo, ose ata që i shërbejnë asaj. Kaq pres nga ajo. Kaq pres nga ata.