Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar dje se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë bashkëpjesmarrëse me Albin Kurtin në të keqen që po i ndodh vendit.
Pas kësaj deklarata të Haradinajt, ka ardhur reagimi i menjëhershëm i LDK-së.
Deputetja e këtij subjekti politik Valentina Bunjaku-Rexhepi në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” e ka cilësuar të papranueshme deklaratën e dhënë nga kreu i AAK-së.
Ajo i kujtoi Haradinajt kohën kur protestonte bashkë me Albin Kurtin, protesta të cilat sipas saj e sollën Kurtin në pushtet.
“Deklarata e Ramush Haradinajt është e papranueshme. Ramush Haradinaj po harron që me protestat së bashku me Albin Kurtin e kanë sjellë këtë të fundit në pushtet. Ne nuk mundemi me i shku pas dikujt që kur do e sjell në pushtet dhe kur do me e rrëzu prej pushtetit”
Bunjaku-Rexhepi shtoi se ende nuk i kanë numrat e mjaftueshëm për rrëzimin e Qeverisë.
Deputetja e LDK-së tha se ata si subjekt politik nuk bëjnë ‘drama dhe filma’ por sapo t’i kenë mundësitë veprojnë.
“Na nuk kemi numra të mjaftueshme për me rrëzu Qeverinë kështu që nuk jemi parti që bëjmë ‘drama dhe filma’ por kur t’i kemi mundësitë sigurisht që do të veprojmë” tha Bunjaku-Rexhepi për “Gazeta Blic”
Valentina Bunjaku-Rexhepi, LDK
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka kritikuar dje dy partitë opozitare që nuk janë të gatshme ta rrëzojnë Albin Kurtin nga pushteti përmes mocionit.
Ai ka thënë se para se të thonë “nuk i kemi numrat”, duhet t’i ofrojnë numrat.
“Kurti duhet me shku në shtëpi dje, e jo sot, se sot vonë jemi. Dëmet janë rritë. Për këtë jam i mërzitur nga dy partitë opozitare. Sepse para se të thonë nuk i kemi numrat, ata duhet t’i japin numrat e tyre. Duhet ta konfirmojnë gatishmërinë e tyre me e çu në shtëpi Kurtin. Bile e kishim pshtu Kurtin, mos me hy në gabime të reja, në rreziqe të reja, pasojave më të mdhaja”, ka thënë Haradinaj, raporton Gazeta Blic.
/Gazeta Blic/
Haradinaj: PDK dhe LDK janë bashkëpjesëmarrës me Kurtin në të keqen që po i ndodhë vendit


