Lajme

Deputetja e AAK-së: Shteti ka dështuar në mbrojtjen e jetës së grave

04/22/2024 22:50
nga:G B

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi ka theksuar për emisionin “Expose” se shteti ka dështuar në mbrojtjen e jetës së grave.

Ajo ka kërkuar veprime konkrete nga ana e shtetit, e jo të vetëmjaftohen më statuse në rrjetet sociale.

“Së pari, unë mendoj se shteti ka dështuar për ta mbrojtur jetën e gruas në Kosovë, andaj mendoj se te ne me dy-tri statuse mbaron nëpër rrjete sociale dhe mbaron përgjithësia e tyre dhe prapë e njëjta situatë, vrasje një pas një dhe vazhdojnë prapë me statuse dhe historia përsëritet normal”, thotë ajo.

Bytyqi vlerëson se rastet e tilla nuk trajtohen me seriozitet në Kosovë dhe kjo i motivon vrasësit që të bëjnë vrasje të tilla.

“Në vendin tonë këto nuk do të ndalen asnjëherë përderisa nuk merren me seriozitet udhëheqësit e këtij vendi, përderisa shkojnë nëpër konferenca dhe flasin për gratë dhe nuk merren me raste konkrete dhe te ne kjo do të ndodhë gjithmonë. Dhe mendoj që kjo qasje do t’u japë më shumë zemër vrasësve potenciale që të kryejnë krimin, se sa me jo seriozitet merret jeta e gruas në Kosovë”, thekson ajo për Expose.

Deputetja e AAK-së ka kritika për zbatimin e ligjeve, për çka thotë se është përgjegjësi e Qeverisë.

“Mendoj që ligjet në Kosovë janë shume të mira dhe vetëm duhet zbatimi i tyre, dhe të forcohet ligji të zbatohen me përpikmëri të rriten dënimet maksimale sidomos për këto raste që po na prekin shumë kohëve të fundit kjo është përgjithësia e Qeverisë.

Pavarësisht se ne ende jemi me një mentalitet, pak më ndryshe ende nuk po mundemi të besojmë se gruaja të këtë fuqinë e vete, në vendimmarrjen, një punë, lirinë e buxhetit, mbi gjitha mendoj që një burrë nuk po mundet me përballu më pas një grua të fuqishme në shtëpi”, deklaron deputetja e AAK-së./Gazeta Blic/