Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”, ka folur në lidhje me vizitën e pesë diplomatëve që vijnë nesër në Prishtinë.
Bytyqi tha se qëllimi i kësaj vizite pritet të jetë ‘ringjallja’ e dialogut pas ngjarjes së 24 shtatorit ku mbeti i vrarë pjesëtari i Policisë së Kosovës nga sulmi terrorist.
“Besoj se qëllimi kryesor i vizitës në Kosovë nesër nga emisarët evropianë dhe amerikanë dhe po ashtu edhe vizitës pastaj në Serbi është ringjallja e dialogut, pra një rikthim në dialog pas ngjarjes që ndodhi më 24 shtator të këtij viti ku mbeti i vrarë një polic i yni nga sulmi terrorist i kriminelëve serbë. Sigurisht se është një vizitë e një rëndësie të veçantë, me një porosi të veçantë dhe atë do e kuptojmë nesër më saktësisht” tha Bytyqi për “Gazeta Blic”
Deputetja e AAK-së tha se është e rëndësishme që kryeministri Kurti të jetë i kujdsshëm në qasjen e tij.
Ajo tha se nesër nuk duhet të jepen mesazhe të gabuara karshi pesë diplomatëve.
“E rëndësishme është që kryeministri Kurti të jetë i kujdesshëm në qasjen e tij. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që situata pas 24 shtatorit nuk është më e njëjta megjithatë ne si shtet duhet të veprojmë me shumë vigjilencë dhe hapa të sigurt në vendimet tona, të punojmë në tejkalimin e sfidave që i ka Kosova në mënyrë që të përshpejtohet edhe integrimi i saj .Duhet që nesër, të mos japim mesazhe të gabuara karshi pesëshes së madhe që vijnë për vizitë zyrtare” tha deputetja e AAK-së për “Gazeta Blic”

Albana Bytyqi, AAK
Nesër pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, së bashku me emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Kjo vizitë e diplomatëve të lartë evropianë dhe amerikanë vjen pas sulmit terrorist në Banjskë ku humbi jetën polici, Afrim Bunjaku.
/Gazeta Blic/
Kurti në prag të vizitës së diplomatëve: Nuk mund të kemi normalizim pa siguri


