Deputeti i VV’së, Agon Batusha thotë se Spanja është afër që ta njeh Kosovën si shtet, por jo aq afër sa do të duhej.
Batusha në një prononcim për GazetaBlic thekson se në këtë çështje ndikojnë edhe dinamikat politike të brendshme në Spanjë.
“Natyrisht që njohja e pasaportave të Republikës së Kosovës nga Spanja është një arritje e rëndësishme për Republikën tonë. Në mesin e 5 vendeve brenda BE-së, Spanja është vendi me qëndrimin më të ashpër ndaj Kosovës. Rrjedhimisht jemi më afër njohjes së shtetit tonë, por jo aq afër sa do të donim. Kjo nuk është për shkak të mosangazhimit të diplomacisë sonë, por më shumë për shkak të dinamikës së brendshme politike në Spanjë”, tha Batusha.
Batusha shton se Qeveria ka bërë dhe po vazhdojë angazhimin diplomatik edhe ndaj vendeve mosnjohëse.
“Vlerësoj që qeveria ka bërë një punë të mirë për sa i përket përkushtimit ndaj këtyre vendeve mosnjohëse, veçanërisht ndaj Greqisë, Spanjës dhe Sllovakisë. Qasja diplomatike shumëdimensionale, përfaqësimi dinjitoz, përmirësimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe rezultatet e mira në luftën kundër korrupsionit, krimit të personelit dhe informalitetit, janë disa nga pikat që kanë ndihmuar në krijimin e rezultateve pozitive në sferën diplomatike. Mbetet të vazhdojë puna dhe zgjerimi i këtij angazhimi diplomatik qeveritar, dhe thellimi i koordinimit në rrafshin e angazhimit diplomatik ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit”, shtoi ai.
“Por, mos të harrojmë që Qeveria ka marrë disa vendime dhe hapa për antarësim në disa organizata, si: Partneriteti për Paqe i NATO-së, aplikimi për statusin kandidat për BE, antarësimin në Këshillin e Evropës dhe në disa organizata tjera, për të cilat determinojnë edhe angazhimin diplomatik dhe qasjen ndaj shteteve specifike”, tha Batusha për GazetaBlic.
Deputeti i VV-së i reagon liderëve të opozitës: Jeni të shkëputur nga realiteti


