Lajme

Deputeti i VV’së: Me Nismën kemi diskutuar vetëm për koalicionin qeverisës, jo për kryeparlamentarin

04/29/2025 21:44
nga:Genita C

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka thënë se çështja e kryetarit të Kuvendit nuk është e diskutueshme me askënd e as me Nismën Socialdemokrate.

Bajqinovci ka thënë se më këtë parti kanë pasur diskutime sa i përket ndarjes së posteve qeveritare, por jo edhe për kryetarin e Kuvendit.

“Me Nismën ka diskutime në nivel të ndarjes së Qeverisë, jo të Kuvendit. Çështja e kryetarit të Kuvendit nuk vendoset në diskutim, këtë duhet me pas parasysh”, ka thënë Bajqinovci.

I pyetur nëse është diskutuar që Fatmir Limaj të jetë i propozuar për kryeparlamentar, ai ka thënë se kjo është diskutuar në media, por që diçka të tillë sipas informacioneve që ai ka nuk ka ndodhë.

“Unë nuk kam informacion që është diskutua çështja e kryetarit të Kuvendit, është përmend në media. E di një gjë, çështja e koalicionit qeverisës është diskutuar, sa unë kam informacion çështja e kryetarit të Kuvendit është çështje e kryer dhe i takon Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk ka marrëveshje për këtë”, ka thënë Bajqinovci./teve1/