Lajme

Deputeti i VV-së tregon a duhet t’i vazhdohet mandati për dialog Lajakut, ka disa fjalë për vizat

06/28/2022 16:28
nga:G B

Deputeti i VV-së, njëherësh anëtar i Komisionit për Integrime, Agon Batusha, vlerëson se Kosova e ka ripozicionuar veten në dialog dhe treguar qartë pozicionin e saj.

“Vizita e ndërmjetësuesit të BE-së në Kosovë është e mirëseardhur dhe është në kuadër të procesit të dialogut. Kosova ka ripozicionuar veten në dialog, duke treguar qartë pozicionin e saj dhe duke mos lejuar cenimin e integritetit territorial, kushtetushmërinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thotë deputeti për Gazeta Blic.

Sa i përket vizave, ai shton se ato nuk duhet të jenë pjesë e dialogut në asnjë formë dhe se pavarësisht zhgënjimit për mosliberalizim, nuk duhet humbur shpresat dhe duhet pritur që shumë shpejt vendet e BE-së të reflektojnë për këtë çështje.

“Procesi i liberalizimit të vizave nuk ka qenë, nuk është dhe assesi nuk do të jetë pjesë në çfarëdo forme në kuadër të dialogut. Zhgënjimi është evident, por besimi në vlerat evropiane assesi nuk na ka humbur. Përkundrazi, ka pasur shenja shumë të mira nga samiti i fundit dhe shpresojmë që shumë shpejtë vendet e BE-së do të reflektojnë karshi kafazit në të cilin i kanë lënë padrejtësisht dhe paarsyeshmërisht qytetarët e Kosovës”, thekson ai.

Ndërsa, për mandatin e Lajçakut, Batusha potencon se atë e vendos BE-ja.

“Z. Lajçak është vendosur nga BE-ja në atë pozitë dhe në këtë detyrë, andaj vetë organet e BE-së duhet të vlerësojnë punën e tij, rrjedhimisht a duhet apo nuk duhet të vazhdojë si ndërmjetësues i dialogut. Për ne, e rëndësishme është që dialogu të jetë bazuar në vlerat e parimet demokratike e evropiane dhe që në qendër të dialogut të jetë njohja reciproke ndërmjet dy vendeve”, deklaron Agon Batusha./Gazeta Blic/