Lajme

Deputeti i VV-së: Qeveria u propozoi ndërkombëtarëve që të hartojë draft të Asociacionit sipas Kushtetutës, u refuzua disa herë

06/06/2024 22:18
nga:G B

Bashkimi Evropian po tenton me zor t’ia marrë kompetencat Kosovës për draft statutin e Asociacionit.

Kështu ka deklaruar sot kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, derisa tha se drafti është kompetencë e Kosovës.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftin, ndërsa ndërmjetësuesi Lajçak mund ta dërgojë draftin e tij në Komisionin e Venecias.

Lidhur me këto, për Gazeta Blic ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.

Ai thotë se është refuzuar disa herë propozimi i Qeverisë së Kosovës që të hartojë një draft konform Kushtetutës.

“Qeveria e Kosovës ka propozuar para ndërmjetësuesve dhe ndërkombëtarëve që të hartojë një draft statut konform Kushtetutës së Kosovës dhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese. Është refuzuar disa herë”, shprehet ai.

Batusha thotë se Kurti ka të drejtë, derisa është e drejtë sovrane e Kosovës të merret me çështje të brendshme.

“Është e drejtë sovrane e Kosovës të merret me çështje të brendshme. Në këtë kontekst kryeministri ka të drejtë”, deklaron deputeti i VV-së, Agon Batusha./Gazeta Blic/

Asociacioni/ Arifi: Deklarata e Konjufcës e turpshme – Kurti duke menduar të tallet me SHBA-në e BE-në, u tall me veten