Lajme

Deputeti i VV-së: Opozita po tingëllon si zëdhënëse e Vuçiqit

08/25/2022 14:11
nga:G B

Pas takimit të mbajtur me 18 gusht në Bruksel, në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Kosovë nga e marta janë për vizitë i dërguari i posaçëm për dialogun, Gabriel Escobar, njëherësh Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit dhe i dërguari i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

Të dy patën takime me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe krerët e opozitës.

Ata thanë se morën konfirmim se Kosova nuk do trazira në veri me 1 shtator.

Por, a është vizita e tyre dhe takimet edhe me krerët e opozitës për një marrëveshje të mundshme finale së shpejti dhe një marrëveshje Kosovë-Serbi për reciprocitetin para 1 shtatorit?

Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, thotë për Gazeta Blic se opozita në Kosovë po e shton presionin e brendshëm ndaj kryeministrit Kurti, të cilën e quan totalisht qasje të gabuar dhe të dëmshme për dialogun, duke tingëlluar si zëdhënës të Vuçiqit.

“Përderisa Serbia është në pozicionin më të vështirë dhe të pafavorshëm diplomatik, spektri politik në Serbi i ka dhënë mbështetje Vuçiqit për dialogun në Bruksel. Ndërsa në Kosovë, opozita po mundohet të shtojë presionin e brendshëm te kryeministri i Kosovës, duke dhënë deklarata të pamatura, e në shumë raste heshtin totalisht duke kalkuluar në ndonjë përfitim për vete. Kjo qasje është totalisht e gabuar dhe aspak lehtësuese, përkundrazi, po bëjnë dëme në procesin që kemi hyrë, e në shumë raste tingëllojnë sikur të jenë zëdhënës të Vuçiqit”, potencon ai.

Batusha thotë se opozita duhet ta ketë prioritet interesin shtetëror, teksa përmend refuzimet për takime me Kurtin e Osmanin.

“Interesi shtetëror do të duhej të jetë mbi interesat personale, partiake e grupore, mbi çdo përfitim elektoral, ekonomik e politik. Këtu duhet theksuar refuzimin e opozitës për takimet në të cilat janë ftuar nga kryeministri dhe presidentja”, thekson deputeti i VV-së për Gazeta Blic.

Sipas tij, interesim për trazira në veri kanë vetëm strukturat kriminale në atë pjesë, duke shtuar se Qeveria dhe VV nuk do të lejojnë që të cenohet territori i Kosovës për asnjë çmim dhe se kjo do të bëhet duke respektuar Kushtetutën, ligjet, marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe koordinimin me QUINT-in.

“Gjithsesi, Kosova do ta ushtrojë të drejtën e saj sovrane në gjithë territorin e Republikës, në respektim të Kushtetutës dhe ligjeve, në përputhje me marrëveshjet e mëhershme të arritura në Bruksel dhe në koordinim substancial me shtetet e QUINT-it. Interesim për trazira kanë vetëm strukturat kriminale dhe krimi i organizuar, të cilët e kanë shfrytëzuar pjesën veriore si vendstrehim për përfitime kriminale. Qeveria e Republikës dhe Lëvizja Vetëvendosje si mazhorancë nuk do të lejojnë në asnjë moment dhe asnjë rrethane, për asnjë çmim të cenohet territori, kushtetushmëria dhe sovraniteti i shtetit tonë”, deklaron Agom Batusha./Gazeta Blic/