Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti ka folur pas paralajmërimeve nga opozita për ngritjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, pas masave ndëshkuese të BE-së e SHBA-së ndaj Kosovës.
Haliti në një prononcim për Gazeta Blic tha se opozitës i mungojnë numrat në Kuvend, duke potencuar që partitë opozitare nuk kanë guxim që të shkojnë në zgjedhje të reja.
“Me i pasë numrat opozita për mocion e kishin sjellë në Kuvend, meqenëse nuk i kanë votat, por as nuk kanë guxim që të shkojnë në zgjedhje të reja dalin e flasin nëpër konferenca”, shtoi Haliti për Gazeta Blic.

Kurse deputeti i PDK-së, Reshat Qalaj ka theksuar se vendi duhet të shkoj sa më parë në zgjedhje duke potencuar se për këtë veprim nuk duhet të humbur më kohë.
“Po sa i përket shkuarjes në zgjedhje besoj që është dashtë të shkojmë qysh moti, siç po e shihni që gjendja edhe e sigurisë edhe gjendja ekonomike e vendit është duke u keqësuar për çdo ditë e më shumë, dhe ne si Parti Demokratike e Kosovës në vazhdimsi kryetari, Memli Krasniqi është duke u bërë thirrje edhe Qeverisë edhe Presidentes për shkuarjen në zgjedhje dhe mendoj që shumë shpejtë ne si vend duhet dhe do të shkojmë në zgjedhje”, tha Qalaj për Gazeta Blic.
Tutje ai shtoi se PDK ende nuk e ka pranuar një kërkesë të tillë nga AAK në lidhje me këtë mocion.
“Sa i përket çështjes së mocionit ende ne nuk kemi marrë asgjë, mirëpo besoj që edhe po ta merrnim një kërkesë të tillë zyrtare nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mendoj që Partia Demokratike e Kosovës e ka bërë të qartë që ne jemi që të shkojmë sa më shpejt në zgjedhje, ndërsa nuk jemi për kompromis me partitë tjera sidomos me partitë në pushtet. E ju e shihni shpesh që AAK një anë kërkon që të bëhet nocioni për rrëzimin e Qeverisë, ndërsa në anën tjetër i dërgon letër Presidentes për takim në nivel të kryetarëve të partive, besoj që kjo nuk ka kuptim”, shtoi Qalaj për Gazeta Blic.


