Lajme

Deputeti i VV-së: Dialogu proces shumë i vështirë, duhet unifikim me opozitën – pak pritet të fitojë Kosova

09/21/2023 14:52
nga:G B

Eman Rrahmani, deputet i VV-së, vlerëson se pozicioni i Kosovës në dialog është shumë i vështirë dhe duhet pasur shumë kujdes e seriozitet.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic thotë se duhet pasur unifikim me opozitën për këtë çështje.

“Dialog është ndër proceset më të vështira që ka kaluar Kosova që nga shpallja e pavarësisë dhe po vazhdon të jetë proces shumë i vështirë dhe në barriera shumë të mëdha për Kosovën e që po e pengon zhvillimin e saj, qoftë ekonomik qoftë politik e në të gjitha aspektet tjera. Duhet të ketë kujdes të madh në këtë proces, pasi dihet se Kosova në këtë proces fatkeqësisht është palë e cila në çdo veprim të saj parashihen rreziqe dhe dëme shumë të mëdha për Kosovën. Është një proces që duhet të ketë jashtëzakonisht kujdes dhe seriozitetin më të madh, që besoj se do të duhej të kishim një unifikim shumë më të mirë brenda vendit, që të kemi edhe prezantim më të mirë dhe sa më të fuqishëm në secilën pjesëmarrje në dialog. Ajo çka unë mendoj se është shumë e rëndësishme sot është që duhet të kemi një unifikim të gjithë spektrit politik, shoqëri civile e të gjithë ata që kanë kontribuar që jemi sot ku jemi këtu që të angazhohemi dhe të dalim prej kësaj situate  e cila në njëfarë mënyre e ka zënë edhe peng zhvillimin ekonomik të vendit”, shprehet ai.

Sipas Rrahmanit, duhet pasur dakordim me miqtë ndërkombëtarë që kanë kontribuar në këtë proces.

“Po them që pozicioni i Kosovës është shumë i vështirë dhe në këtë duhet të kemi kujdes. Natyrisht që Kosova gjatë këtyre viteve deri këtu ku kemi ardhur, jemi vendi që kemi pasur më së shumti barriera, si me liberalizim të vizave e të tjera, të cilat kanë qenë kryesisht barriera politike, nuk kanë qenë barriera si për vendet e tjera, andaj mendoj që është bërë një dëm shumë i madh edhe në këtë proces, mirëpo ajo çka do të duhej është që të kemi jashtëzakonisht kujdes, të dakordohemi me të gjithë ata që kemi ardhur, miqtë, edhe SHBA-të, edhe vendet e tjera që kanë komunikuar kanë dhënë angazhim në proces dhe të vazhdojmë tutje”, thekson deputeti për Gazeta Blic.

Ai potencon se në dialog pak pritet që të fitojë Kosova, andaj duhet unifikim dhe të kthehet Kosova në pozicion më të favorshëm.

“Procesi i dialogut fatkeqësisht është një proces që pak pritet të fitojë Kosova sepse diskutohet për Kosovën, nuk diskutohet për Serbinë apo ndonjë pjesë tjetër dhe aty diskutohet që të largohet ndikimi i Kosovës në sovranitetin dhe integritetin e saj. Kështu që edhe masat që janë ndërmarrë, janë masa që e pengojnë zhvillimin dhe e pengojnë gjithë punën në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare, kështu që mendoj se duhet një rikapitullim i brendshëm i dialogut që të fillohet me një proces më ndryshe dhe më dinamik, mirëpo që situata e krijuar tani është pak shqetësuese për të gjithë. Po shpresoj që me angazhimin e qeverisë dhe të gjithëve do ta kthejmë këtë në pozicion të favorshëm për Kosovën”, përfundon ai./Gazeta Blic/