Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, ka folur për kërkesat e BE-së për të nisur zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, formimin e Asociacionit pa parakushte dhe zgjedhjet në veri.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Asociacioni është shndërruar në parakusht të Serbisë për dialog dhe marrëveshje dhe derisa janë marrëveshjet e arritura, asnjë pikë s’mund të bëhet parakusht për zbatim të saj.
“Asociacioni është shndërruar në parakushtin e Serbisë për dialog dhe marrëveshje. Ne kemi marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit, por Marrëveshjet bëhen për t’u zbatuar në plotëni, jo pjesërisht dhe aq më pak një pikë nga shumësia e pikave të shndërrohen në parakusht për hapa të mëtutjeshëm”, thotë Batusha.
Sipas tij, masat janë qasje e padrejtë ndaj Kosovës, derisa dhuna buron nga Beogradi, derisa ka shtuar se pret që masa t’i vendosen Serbisë për kërcënimet e deestabilizimin që po e sjell në Kosovë.
“BE-ja ka marrë masa ndaj Kosovës, pa çka se dhuna burimin e ka në Beograd. Një qasje shumë e padrejtë ndaj një shteti demokratik. Në dakordim me aleatët ne kemi bërë hapat tonë për deeskalim, por masat nuk u hoqën. Ne po zbatojmë ligjin, po vendosim rend, po zbatojmë dakordimin me BE-në për deeskalim dhe po sigurohemi që të ketë frymë demokratike edhe në pjesën veriore të Republikës sonë. Andaj, unë pres masa ndaj Serbisë e cila pavarësisht kërcënimeve e destabilizimit që sjell në vendin tonë, ende nuk i janë vënë masa ekomomike e politike”, deklaron deputeti i VV-së, Agon Batusha./Gazeta Blic/