Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka postuar një fotografi të rrallë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin.
Në katër vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, Shala ka vlerësuar se me ish-krerët e UÇK-së i bashkon një jetë angazhim dhe luftë për një ideal të përbashkët.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Jakup Krasniqin nuk e kishte vetëm bashkëluftëtar.
Ai ka bërë me dije se Krasniqin e kish edhe mësues, nga i cili mori dije dhe frymëzime atdhedashurie.
E plotë:
“Me Hashimin dhe Kadriun, si edhe me Rexhën, na bashkon një jetë angazhim dhe luftë për një ideal të përbashkët – lirinë e Kosovës. Jakup Krasniqi nuk ishte vetëm bashkëluftëtar, por edhe mësuesi im, nga i cili mora edhe dije e mësime, por edhe frymëzime atdhedashurie. Sot bëhen katër vite që të katërtit nuk janë në Kosovë. Angazhimi i tyre për të drejtën e popullit të Kosovës për liri sot ka marrë trajtën e mbrojtjes së kësaj të drejte. Sa më shumë kalon koha, mungesa e tyre bëhet më e dukshme, madhështia tyre më evidente dhe lufta e tyre më sublime. Sypatrembur, siç ishin gjithmonë, të katërtit e pranuan pa mëdyshje përballjen me drejtësinë, të bindur në pastërtinë e luftës së popullit tonë për liri. E, me besim në drejtësi, faqebardhë do të kthehen në fund”, ka shkruar Shala.