Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa ka denoncuar kryeministrin Albin Kurti për shkelje të Rregullores së Kuvendit.
Beqa është bazuar në një bashkëveprim mes kryeministrit Kurti dhe Ilir Kërçelit, shefit të Kabinetit të Kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
Sipas Beqës, Kurti shkeli rregulloren me konsultat që realizoi gjatë seancës së sotme parlamentare me Kërçelin, të cilin e cilësoi si person të paautorizuar për pjesëmarrje në seancë.
“Kryeministri Kurti në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, konsultohet me persona të paautorizuar në Seance Plenare, me Ilir Kërqeli – Shef i kabinetit të Glaukut”, tha Beqa.
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur dhe është ndërprerë përkohësisht me kërkesë të grupeve parlamentare opozitare, të cilat kërkojnë një marrëveshje me mazhorancën për përfshirjen e veteranëve të luftës në Projektligjin për pagën minimale.


