Lajme

Deputeti i LVV-së zbulon njërin nga kushtet e Kurtit për Asociacionin që po e kundërshton BE-ja

02/08/2023 23:33
nga:G C

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) ka vërejtje në dy kushtet nga gjithsej gjashtë sosh, që i ka paraqitur kryeministri Albin Kurti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Bislimi gjatë një konference për media tha se cilat janë ato dy kushtet ku BE-ja ka paraqitur vërejtje mund t’i tregojë i dërguar i BE-së, Miroslav Lajçak.

Por deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj në RTV Dukagjini ka zbuluar njërin prej këtyre kushteve që po i kundërshton BE-ja.

Sipas tij BE-ja po e kundërshton kushtin e reciprocitetit, që është parashtruar kryeministri Albin Kurti.

“LVV përballë Serbisë ka vendosur që çështje e reciprocitetit te jetë në dialog. Pra nëse mund të ketë një Asociacion pa kompetenca ekzekutive dhe publike, e njëjta gjë duhet të jetë edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginë. Nëse 4% e popullatës serbe që jetojnë në Kosovë sot drejton 10 komuna në Kosovë dhe kanë 10 deputetë, ka ligjin e dyfishtë, derisa ka dyfishë më shumë shqiptarë në Luginë dhe ata nuk kanë të drejta në Serbi”, ka deklaruar Rexhaj.