Lajme

Deputeti i LVV-së: Nëse opozita dhe Lista Serbe duan vetëm bllokim atëherë zgjedhjet mbeten opsioni i vetëm!

09/12/2025 09:45
nga:Y I

Pas disa muajsh ngërçi institucional, deputetët arritën të zgjidhnin kryetarin e Kuvendit, por jo konstituimin e plotë të tij.

Çështja ka ngecur tek zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb për çka Lista Serbe ju drejtua Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e nxjerrë disa ditë më parë vendosi masë të përkohshme prej 30 ditësh duke ndaluar çdo veprim të deputetëve.

Pas kësaj situate të krijuar janë shtuar zërat se vendi mund t’iu drejtohet sërish zgjedhjeve të reja parlamentare.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar dje se në rrethanat aktuale politike në Kosovë, zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza mbeten zgjedhjet e reja parlamentare.

Ajo vlerëson se situata e krijuar në Kuvend ka tejkaluar kuadrin normal institucional dhe nuk ka më hapësirë për kthim në funksionim të zakonshëm.

“Nëse do të kemi aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, megjithatë unë mendoj që në aspektin demokratik dhe të funksionimit institucional, zgjidhja e vetme nga situata aktuale janë zgjedhjet e reja parlamentare. Nuk e shoh të mundshme kthimin në normalitet pas gjithë kësaj bllokade”, ka deklaruar Kusari-Lila raporton “Gazeta Blic”.

Në lidhje me situatën e krijuar dhe a është e gatshme, LVV-ja, për zgjedhje të reja ka folur për “Gazeta Blic”, deputeti i këtij subjekti politik, Mefail Bajqinovci.

Bajqinovci tha se ata si subjekt politik janë që të themelohen institucionet në përputhje me rezultatin zgjedhor.

Por sipas tij opozita dhe Lista Serbe duan bllokim dhe se zgjedhjet janë opsioni i vetëm.

“Ne jemi qe te themelohen institucionet në perputhje me rezultatin zgjedhor, por nese opozita apo Lista Serbe duan bllokim dhe vetem bllokim ateherë zgjedhjet mbeten zgjidhja dhe opsioni vetem”

“Po realisht keta nuk janë duke e pranu rezultatin zgjedhor” tha Bajqinovci në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.