Lajme

Deputeti i LVV-së kërkon që Kosova ta shpallë ‘non grata’ politikanin ekstremist francez

10/31/2022 21:20
nga:Genita C

Deputeti i LVV-së, Gramos Agusholli, ka kërkuar që Nicolas Bay të shpallet non grata nga Republika e Kosovës.

“Hiç më pak se non grata për ket’ fashist. Kur e lexova këtë deklaratë mendova se e kanë bërë popat e Kishës Serbe, të cilët i bekonin ushtarët serbë kur niseshin për të bërë masakra mbi shqiptarët e Kosovës dhe boshnjakët në Srebrenicë”, shkroi Agusholli në Facebook.

Kjo pasi, politikani francez i të djathtës ekstreme Nicolas Bay, që është edhe deputet në Parlamentin Evropian, ka ofenduar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Bay e ka quajtur UÇK-në e terroriste, pasi ka vizituar kishat ortodokse serbe dhe ka takuar komunitetin serb në Kosovë.

“Përballë heshtjes për situatën në Kosovë dhe marrjes së këtij territori nga terroristët e UÇK-së, desha të shkoj atje për të paralajmëruar për fatin e të krishterëve serbë. Mund të mos mjaftojë vendosmëria e jashtëzakonshme e popullit serb, t’i ndihmojmë”, thoshte ekstremisti francez.