Lajme

Deputeti gjerman: Serbia po diskriminon pakicën shqiptare, spastrimi etnik i tyre është krim

07/09/2024 20:12
nga:G C

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, ka reaguar për qasjen së Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginë.

Medvegja së bashku me Preshevën dhe Bujanocin përbëjnë atë që njihet si Luginë e Preshevës – e banuar me shqiptarë – në jug të Serbisë.

Përmes një postimi në “X”, Roth tha se Serbia po bën hapa mbrapa në rrugën e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës paqësore në Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se Serbia është duke diskriminuar sistematikisht pakicën shqiptare atje.

“Kjo formë e pastrimit etnik është pa dhunë, por gjithsesi është një krim”, është shprehur ai, duke shpërndarë një artikull të DeutscheWelle, që trajton pikërisht këtë çështje.

Problemi i spastrimit etnik shqiptar është shfaqur tash e një kohë në Serbi.

Më i dukshëm ka qenë në procesin e regjistrimit të popullsisë, disa muaj më parë, ku qytetarë shqiptarë u eliminuan nga regjistrat civilë.