Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës pritet të shqyrtohet një nga ligjet më të përfolura, ai për konfiskimin e pasurisë.
Në rend dite janë 36 pika, kurse në pikën e 7 pritet që të shqyrtohet edhe plotësim ndryshimi i ligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar.
Ky projekt ligj i cili parasheh realizimin e konfiskimit të pasurisë së paligjshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues, tash e një kohë ka ngjallur debat mes pozitës dhe opozitës.
Kujtojmë se deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu kishte deklaruar se ky ligj do të përdoret “si gogol ndaj bizneseve dhe mediave”.
Një nismë të tillë e kishte komentuar edhe ish-deputetja e VV-së, Shqipe Pantina, e cila kishte thënë se ky ligj “do t’i shërbejë qeverisë si kërbaç kundër atyre që ia prishin terezinë”.
Kurse ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar që ky ligj nuk do të keqpërdoret nga askush.
“Ne po tentojmë të kemi edhe siguresa në këtë projektligj në mënyrë që të mos keqpërdoret nga askush”, kishte thënë Haxhiu.