Arben Ratkoceri, botues i Gazetës Koha në Maqedoni, në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashin, duke folur për zgjedhjen kryeministër të Maqedonisë, tregoi edhe deputetët shqiptarë që votuan kundër tij.
“Po. Ndodhën disa gjëra, kishte disa arsye, madje ka pasur edhe deputetë që na e kanë kërkuar votën për kryeministër gjatë zgjedhjeve. Ishin parti që janë në opozitë, dhe të cilët nxorën një kërkesë për komisionin shtetëror zgjedhor. Është partia Besa, Alternativa dhe partia e z.Izet Mexhiti, që kanë formuar një koalicion dhe një këshilltar i z.Albin Kurti, i cili madje kishte njëfarë deklarate për ne atje shumë qesharake dhe të turpshme. Bekim Çoku. Dhe krahasim i ulët, mirëpo ne atje e kemi kaluar me humor dhe nuk i kemi dhënë rëndësi hiç”, thotë ai.
“Jo. Nuk është deputet Bekim Çoku. Ka qenë. Deputetët shqiptarë që kanë kërkuar votën për kryeministër e që kanë votuar kundër Xhaferit, kjo partia që doli nga fraksioni i z.Ali Ahmeti që ka dy deputetë, z.Izet Mexhiti dhe një deputete tjetër Merita Koxhaxhiku”, potencon gazetari.
Ratkoceri ka folur edhe për forcat e partive shqiptare në Maqedoni, cila është më e fuqishme atje.
“Në Maqedoni në kontinuitet, në 30 vitet e fundit ka ndodhur një fenomen shumë negativ për shoqërinë shqiptare. Çdo parti shqiptare që ka ardhur në pushtet, punën e parë që e ka bërë, e ka shkatërruar opozitën shqiptare dhe ka prodhuar partica të vogla të krijuara nga dikush tjetër, që nuk e dimë as vetë nga kush. Disa satelitë që i kanë krijuar dhe vetë dhe tani po u bëjnë probleme. Z.Ahmeti një nga dëmet më të mëdha politike që e ka bërë është që e ka shkatërruar partinë më të madhe opozitare shqiptare, partinë e z.Arbër Xhaferi, PDSH-në, se shfrytëzoi mekanizmat e komandantit, mekanizmat e shtetit e shumë të tjerë dhe i la shqiptarët në Maqedoni pa opozitë dhe kjo hapësirë në ndërkohë u shfrytëzua nga shumë elemente të tjera, pa i përjashtuar edhe ato lindore për të shfrytëzuar këtë hapësirë dhe për të formuar parti të vogla që kanë shkaktuar pengesa edhe ndonjë dëm më të madh politik. Por fatmirësisht fuqia politike e z.Ahmeti vazhdon të jetë relativisht e fortë brenda hapësirës politike shqiptare”, deklaron gazetari.
Ai tregon dhe cilat janë partitë lindore që janë formar.
“Është përfolur për Lëvizjen Besa. Një fraksion i Lëvizjes Besa është Alternativa. Pastaj ka dalë dhe një fraksion tjetër më i vogël dhe realisht ato fuqizimin e kanë marrë përmes koalicioneve sepse nuk janë pritur mirë nga shqiptarët, por fuqizimin fillimisht e morën nga një listë e përbashkët me social-demokratët që në momentin e parë i tradhtuan dhe u tërhoqën. Pastaj kanë marrë dhe një fuqizim nga Aleanca e ish Ziadin Selës dhe e fituan Komunën e Tetovës dhe me meritë sepse BDI kishte një kandidate të dështuar. Unë them se Shpend Ahmeti në Prishtinë dhe Teuta Arifi në Tetovë janë dy dështime sepse për 2 mandate një zgjidhje nuk ua kanë bërë qyteteve të tyre përkundër kompetencave që kanë pasur”, potencon ai.
Por, kush i fiton zgjedhjet në Maqedoni sipas gazetarit Arben Ratkoceri?
“Për të dhënë një përgjigje po merremi me sondazhe që kemi çdo ditë. Është e padiskutueshme fitorja e BDI-së, mirëpo kjo është e pamjaftueshme nëse nuk ka një diferencë të madhe me opozitën, sepse dihet që edhe në pjesën maqedone është shumë e pastër fitorja, ku VRMNO-DPMNE do të dalë shumë fuqishëm dhe pastaj koalicioni i saj me cilën do parti shqiptare nëse nuk është i fuqishëm për nga numri i deputetëve, atëherë çështjet do të problematizohen goxha shumë”, vlerëson ai.
Sipas tij, shqiptarët mund t’i marrin deri në 30 deputetë .
“Aktualisht që po bisedojmë dilema më e madhe në Maqedoni është se Aleanca e Arbër Taravarit kah do të pozicionet, pra nga z.Ali Ahmeti apo nga pozicioni i këtyre tre partive opozitare. Nuk po e përmendi Vetëvendosjen sepse doli Kurti tha se nuk është Vetëvendosje, është një individ i caktuar që thirret në emër të VV-së”.
Ai mohon mundësinë që Kurti të ndikojë në zgjedhjet në Maqedoni, ani pse është përzier dhe më herët dhe s’ka pasur efekt.
“Nuk besoj se mund të ndikojë se z.Kurti edhe më herët është përzier në zgjedhjet në Maqedoni por s’ka pasur asnjë efekt. Vazhdoj të mendoj, nuk e kanë shqiptarët e Maqedonisë atë luks që të përzihet shteti i Kosovës në organizimin e tyre politik. Jep dëm. Se shqiptarët e Maqedonisë s’janë as të Malit të Zi e as të Preshevës. Shqiptarët e Maqedonisë kanë numra, kanë vetëdije kombëtare, nacionale, duhet t’ju lihet aty ta zgjedhin përfaqësuesin dhe shteti i shtet duhet ta respektojë këtë pa u përzier. Bashkëpunimet partiake edhe duhet të ketë, se Ali Ahmeti ka pasur raporte të mira me Hashim Thaçin, Ramush Haradinaj, por kur kanë qenë në shtet janë ruajtur. E kemi dhe Edi Ramën që e mbështet shumë Ali Ahmetin, por në opinion është shumë i kujdesshëm”, shton gazetari.
Sipas tij, partia e fundit në sondazhe është ajo e Taravarit dhe ajo në zgjedhje s’merr më shumë se 3-4 deputetë.
“Jo vetëm të negociojë, por do të diktonte edhe politikat e ardhshme të Maqedonisë. Prandaj po lutet partia e Taravarit, që është e fundit në sondazhe. Nëse del vet në zgjedhje s’del më shumë se 4 deputetë dhe lufta do të jetë mes BDI-së dhe këtyre të opozitës ku BDI ka një diferencë. Mirëpo këta 3-4 deputetë nëse për shkak të sistemit zgjedhor, në cilën pjesë do të koalicionojnë, do të bëjnë diferencën. BDI flitet se do të shkojë mbi 20 deputetë nëse shkon me aleancën”, deklaron Arben Ratkoceri./Gazeta Blic/


