Komisioni parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar ankesën e ndërmarrjes “Kosova Thëngjilli”, për mos zbatimin e Ligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike përkatësisht për lirimin nga renta minerare.
Për këtë çështje ka raportuar në komisionin drejtues të kësaj kompanie dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ajo theksoi se nuk ka logjikë ekonomike që renta të faturohet nga KEK-u ndaj “Kosova Thëngjilli”, mirëpo ky është interpretim i Zyrës ligjore që të ndodhë një gjë e tillë.
“Konsideroj që është padrejtësi, por këto janë interpretime ligjore. Sipas kësaj, ndërmarrjet që posedojnë licencë të njësisë minerare lejohen nga renta”, tha ajo.
Ndërsa, Isuf Mehmeti, drejtor menaxhues i “Kosova Thëngjill”, derisa ka arsyetuar ankesën tha se për mos zbatimin e rentës, është e vërtetë se “Kosova Thëngjill” nga 1 janari kur ka dal ky ligj, nuk është respektuar ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.
“Kërkesa është ta marrim një përgjigje nga Kuvendi se a kemi të drejt të lirohemi nga taksa apo jo. Kemi 200 punëtorë, dhe KEK-u na ka dëmtuar shumë. Ne jemi furnizues të fabrikës Ferronikel, pas kësaj kjo fabrikë më nuk është blerës i yni për shkak të mos uljes së taksës, dhe furnizohet nga shtetet fqinje. Pra, gjendja është e rëndë, tash e disa muaj mezi sigurojmë 40 përqind të pagave për punonjësit”, theksoi ai.
Kryetari i Komisionit, Ferat Shala, tha se Ligji është i qartë dhe lejon të gjitha këto njësi, ndërsa “Kosova Thëngjill” vazhdon të mos përfitojë nga lirimi i rentës.
Deputeti Shala u shpreh se ligji nuk favorizon, siç tha ai vetëm bosat e sektorit minerar.
“KEK padrejtësisht po e vjel renten në njësinë ‘Kosova Thëngjilli’. Nuk i selekton vet bosat e sektorit. ‘Kosova Thëngjilli’ është në një situatë të rëndë. Nuk mund ta vjel dikush taksën e asaj që ne e kemi liruar. Si pasojë e kësaj, Ferronikeli ka ikur dhe furnizohet nga jashtë vendit. A duhet të falimentojë ministre ‘Kosova Thëngjilli?’, pyeti Shala.
Deputetët e pozitës dhe opozitës ngrenë dyshimin e shkeljeve ligjore në raport të diskriminimit të kompanive.
Edhe deputetja Mimoza Kusari Lila ka mbështetur kërkesën e ‘Kosova Thëngjillit’, e cila tha se derisa KEK nuk paguan rentë minerare, kush është KEK-u që t’ia faturojë ‘Kosova Thëngjillit’ renten. Kjo sipas saj, është e padrejtë.
Deputeti nga PDK, Uran Ismajli, u shpreh që ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, sipas tij nuk duhet të ketë abuzim.