Lajme

Deputetët e VV-së kritika Ramës: E dëmshme dhe e gabuar, në linjë me Vuçiqin – mos koordinimi i tij ndërton mure me Kosovën

09/28/2023 20:31
nga:G B

Reagime të shumta ka nxitur sot deklarata e kreut të qeverisë shqiptare, Edi Rama.

Duke folur për situatën në veri dhe sulmin terrorist të së dielës, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Rama tha se KFOR-i duhet ta marrë nën kontroll Veriun e Kosovës.

“Nga ana tjetër, dua ta theksoj që gjërat mund të shkojnë lart dhe shpejt, shumë më shpejt se sa mund të ndodhi në një ditë si kjo, ku vetëm niveli i përfaqësimit në dialog duhet ngritur lart dhe shpejt. Duhet pasur parasysh që kjo të bëhet, vonesa e këtij hapi mund të sjellë dhe një stokë viktimash të një konflikti të hapur. Pikërisht, për të parandaluar viktimat, KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë dhe në samitin e NATO, e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse“, tha ai.

Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se sot në Kuvend sot u tregua fuqia e bashkimit.

“Sot në Kuvendin e Kosovës, treguam fuqinë tonë të bashkimit, por çdo përpjekje ka nevojë për harmoni dhe ritëm”, thotë ai.

Agusholli thekson se e mirëpresin kontributin e Ramës, por që pa koordinim dhe komunikim ka rrezik të ndërtimit të mureve dhe jo urave.

“Kontributin e kryeministrit Rama e mirëpresim por mos të harrojmë – pa koordinim dhe komunikim, kemi rrezik të ndërtojmë mure, jo ura në mes nesh. Mungesa e komunikimit në mes Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos në këto raste duhet patjetër të tejkalohet”, deklaron deputeti i VV-së, për Gazeta Blic.

Ndërsa, deputeti tjetër i VV-së, Agon Batusha, thotë se deklarata e Ramës është e gabuar dhe e dëmton interesin e Kosovës dhe ka qenë kërkesë e Serbisë.

“Është deklaratë e gabuar, e dëmton interesin e Kosovës dhe është kërkesë e kahmotshme e Serbisë”, thotë Batusha për Gazeta Blic.

Kundër deklaratës së kryeministrit Rama është shprehur edhe deputeti i VV-së, Halil Thaçi.

Ai thotë për Gazeta Blic se i vjen keq që një shqipfolës të ketë një kërkesë të tillë, derisa s’ka bërë asgjë për të drejtat e shqiptarëve në Luginë e Maqedoni.

“Me të vërtetë më vjen keq që nga një shqipfolës e dëgjon një kërkesë të tillë. I njëjti shqipfolës asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në Luginë e as atyre në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët në Luginë janë të shtypur e të diskriminuar, ju mohohen të drejtat elementare e nga ky shqipfolës asnjëherë nuk dëgjuam të ketë marrë një iniciativë për mbrojtjen e të drejtave të tyre. A thua vallë, përse ky shqipfolës është gjithnjë në linjë të njëjtë me politikën hegjemoniste serbe që duan ta zbatojnë projektin e “Naçertanija” e Illija Garashaninit?!” shprehet ai.

Thaçi shton se do të dëshironte që Rama t’i bënte pa vetëdije këto kërkesa si të Vuçiqit dhe të ulej e ta dëgjonte veten.

“Pra, nuk është hera e parë që janë në linjë të njëjtë kërkesat e Vuçiqit dhe Ramës, do të dëshiroja që një kryeministër i Shqipërisë t’i bëjë pavetëdije këto kërkesa, do të dëshiroja që sonte të jetë esëll dhe të ulet e të dëgjojë veten e tij se çfarë flet”, deklaron deputeti i VV-së, Halil Thaçi./Gazeta Blic/

Statovci i reagon Ramës: Po gabon rëndë dhe po e dëmton Kosovën – po e ndihmon Serbinë si sponsor të terrorizmit

Edi Rama: KFOR të marrë në kontroll Veriun e Kosovës, vonesa mund të sjellë viktima!