Lajme

Deputet apo kryetar i Obiliqit? Flet Xhafer Gashi, tregon prioritetet nëse zgjedhet përfaqësues i popullit në Kuvend

01/23/2025 12:53
nga:G B

Xhafer Gashi, kryetar aktual i Obiliqit është kandidat për deputet në listën e LDK-së, për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Por, cilën pozitë do ta zgjedh Gashi, nëse fiton besimin e qytetarëve për të qenë përfaqësues i tyre?

“Tani ne jemi në proces të zgjedhjeve. Hyrja ime në listën kandiduese në këtë rast ka qenë vendim i Këshillit të përgjithshëm dhe kryesisë. Gjithashtu kam marrë dhe aprovimin e degës së LDK-së në Obiliq. Në këtë rast jam vetëm një ushtar, do të jem në shërbim të qytetarëve dhe pas zgjedhjeve do t’i shohim zhvillimet e mëtutjeshme”, ka thënë ai në një intervistë për Gazeta Blic.

I pyetur nëse mund të jetë ministër i mbrojtjes, ai ka thënë se s’ka ambicie.

“S’kisha thënë. S’kam ambicie për të qenë ministër”, ka potencuar Gashi.

Ndërsa, nëse do të jetë sërish në në garë për kryetar të Obiliqit, Gashi ka thënë se do të vendosin qytetarët.

“Qytetarët do të vendosin nëse do të jem sërish në garë për kryetar të Obiliqit”, është shprehur ai për Gazeta Blic.

Ai ka treguar problemet që ka Komuna e Obiliqit dhe çështjet që do t’i ngris ai në Kuvend, teksa ka përmendur moszbatimin e Ligjit për Obiliqin.

“Probleme të shumta ka pasur Obiliq, disa nga to janë zgjidhur dhe disa janë në proces të zgjidhjes. Unë mendoj nëse do të jem pjesë e Kuvendit do ta ngris shqetësimin e ambientit, implementimin e ligjit të Obiliq. Në realitet Obiliq duhet ta ketë një subvencionim për energji, kështu është dhe me ligj, në bashkëpunim me ZRRE dhe ministrinë. Kjo nuk ka ndodhur. Nuk është lënë të implementohet sepse ZRRE ka dhënë vërejtje në kuptimin e diskriminimit qytetar dhe unë mendoj se nuk është diskriminim duke u bazuar në rrethanat në të cilat zhvillohet jeta në Obiliq, duke filluar nga ndotja e ambientit, sëmundjet respiratore, pastaj çështja e pronave, zhvendosjet e dhunshme, të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme ato zhvendosje dhe me vlerë, pastaj të rikthehet prodhimi I kuadrove siç ka qenë dikur në shkollat profesionale për nevojat e ekonomisë, në këtë rast për KEK-un, gjithashtu te shëndetësia duhet të krijohet një udhëzim administrativ, ka tema të ndryshme që e ngarkojnë Obiliqin në përgjithësi”, ka deklaruar Gashi.

“Besoj plotësisht sepse është e drejtë, secili ligj duhet implementuar. Por këtu edhe KEK është një nga shkelësit më të mëdhenj të këtij ligji. Por unë dhe Lendita Bekteshi do të bëjmë përpjekje në Kuvend bashkë për zbatim”, ka shtuar ai.

Ai ka cekur problemet me nivelin qendror, me komunat që nuk qeveris Lëvizja Vetëvendosje.

“Jo vetëm në komunën tonë, por kjo dukuri është zhvilluar në të gjitha komunat. Jo vetëm ndaj Obiliqit por ndaj 24 komunave të cilat nuk qeveris LVV. Ka shumë probleme, p.sh.: fillimi i projektit të nxemjes qendrore, duke u bazuar në rrethanat që neve na i kanë krijuar si mundësi avullin që e kemi afër, ne kemi filluar projektin e nxemjes qendrore, shpërndarjen e gypave, faza e parë ka qenë ndërtimi i objektit, faza e dytë ka qenë shtrirja e rrjetit të gypave nëpër qytezë që mendojmë ta shpërndajmë edhe në zona të tjera. Që nga 2021 ne kemi adresuar kërkesa edhe në Ministri të Financave që nuk kanë hasur në mirëkuptim për mbështetjen e një projekti kaq të rëndësishëm i cili ka impakt edhe në kursim të energjisë, pastaj çështjen ambientale, që ndotja e ambientit do të ishte shumë më e vogël në këtë drejtim. Dhe, që nga 2021 kemi adresuar kërkesa në ministri, në komisione parlamentare, pastaj edhe në kuvend dhe në të cilat asnjëherë nuk kanë hasur në mirëkuptim. Shumë thjesht ne kemi hapësira të shumta që kishim pasur mundësi me i shfrytëzu për energji alternative, konkretisht edhe në komunën e Obiliqit edhe djerrina kur ka qenë që është mbuluar që është përfol që do të fillojë ndërtimi i kapaciteteve për energji solare, pastaj këtë projektin që po e përmendi unë me kongjenerimin nëse do të kurseheshin gjatë sezonit dimëror 20 megavat për Obiliqin që të sublojë energji unë mendoj që është shumë. Ka burime të tjera dhe mundësi të shumta duke filluar edhe nga termocentrali me gaz që e ka prezantuar kryetari Abdixhiku, unë mendoj që shumë shpejt kish me pas ulje të konsumit të energjisë elektrike duke e zëvendësuar në rrethana të tjera”, ka përfunduar kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, kandidat i LDK-së për deputet./Gazeta Blic/