Lajme

Dënohet me 3 vite e 3 muaj burgim për pjesëmarrje në luftërat e ISIS-it dhe angazhim në Batalionin e Snajperistëve

02/16/2022 09:50
nga:Q R

Skender Qerimi është dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi një ditë më parë e ka pranuar fajësinë për pjesëmarrje në luftërat e ISIS-it dhe angazhim në Batalionin e Snajperistëve.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të mërkurën nga gjykatësja e rastit, Suzana Çerkini.

Sipas aktgjykimit, në dënimin e shqiptuar Qerimit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 17 korriku 2021.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale thuhet se Skender Qerimi, së bashku me të ndjerët A.U. dhe V.Q., me paramendim, me dashje dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, ka lëshuar territorin e Kosovës ku përmes lidhjeve të caktuara ka arritur në qytetin Urfa, ku janë pritur nga personat e ISIS-it.

Në aktakuzë thuhet se pasi Qerimi ka arritur qytetin Urfa, ai ka depërtuar në qytetin Raka dhe pas regjistrimit në ISIS ka vijuar trajnimet fizike, taktike dhe luftarake, i pajisur me uniformë ushtarake të ISIS-it dhe me pushkë automatike AK-47.

Tutje, sipas aktakuzës Qerimi ka marrë pjesë aktive në luftërat e ISIS-it në qytetet Mosul, Zumer e Sedfaruk ku ka qenë i angazhuar edhe në Bataljonin e Snajperistëve.

Sipas aktit akuzues, ai në fund ai ka qëndruar tek Forcat Demokratike Siriane, ku më 17 korrik 2021 është riatdhesuar në Kosovë.

Me këto veprime, Qerimi thuhet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 par 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme sipas këtij kodi prej pesë deri në dhjetë vjet burgim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Musliu: Qytetarët të dëshpëruar dhe të pashpresë me Kurtin, të shqyrtojnë ikjen nga Kosova