Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.R, zyrtar policor, i cili akuzohej nga Prokuroria e Pejës për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe lëndim i lehtë trupor.
Sipas aktgjykimit të shpallur i pandehuri është gjykuar me 1 mijë e 300 euro gjobë pasi ndaj tij është shqiptuar aktgjykim unik me gjobë.
I pandehuri është njoftuar se në rast se i pandehuri nuk e paguan dënimin e caktuar i njëjti është njoftuar se ndaj tij mund t’i shëndërrohet dënimi me gjobë në dënim me burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se mbrojtja është arsyetuar se veprimet e të pandehurit ishin në harmoni me nënin 28 të Ligjit për Policinë e cila dispozitë e autorizon zyrtarin policor të përdor forcën kur është e domosdoshme dhe se sjellja e të pandehurit nuk ishte cilësuar si tejkalim i autorizimeve nga IPK dhe se i dëmtuari nuk i ishte përmbajtur udhëzimeve të zyrtarit policor.
Gjykata këto pretendime i ka refuzuar si të pabazuara pasi sipas gjykatës nga video-incizimi ishte vërtetuar se i pandehuri kishte përplasur më shumë se katër herë të dëmtuarin për muri në Stacion Policor. Forca e përdorur nga i pandehuri sipas gjykatës nuk ka qenë e provokuar nga i dëmtuari për aplikimin e nenit 28 të Ligjit të Policisë, pasi i dëmtuari kishte prekur vetëm dorën e të pandehurit e cila prekje nuk ka qenë e intensitetit për të përplasur të dëmtuarin.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 8 prill 2020, i pandehuri ngarkohej se më 29 shtator 2018 rreth orës 15:22 në Stacionin Policor në Pejë,si zyrtar kishte keqtrajtuar të dëmtuarin H.M.
Sipas aktakuzës pas një bisede të shkurtë me të dëmtuarin, i pandehuri e shtynë të dëmtuarin me dy duar në shpinë duke e dërguar me forcë në hapsirën e pritjes me qëllim që të njëjtin ta ulë dhunshëm në karrige, mirpëo i dëmtuari duke mos dashur t’i bindet qëndron në këmbë, dhe më pas i pandehuri e godet me dy duart në gjoks dhe e përplasur në mur duke e goditur murin me kokë.
Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga nenit 198 par.1 të Kodit Penal.
Për të njëjtat veprime të lartcekura, i pandehuri ngarkohej edhe për lëndim të lehtë trupor nga neni 188 par.1 nën par.1.4 të Kodit Penal.


