Gjykata Themelore e Prishtinës, i ka dënuar me burgim dy bujq.
Gj.M, akuzohej për “Dhënie të Ryshfetit” “Ushtrim i ndikimit” dhe “Mashtrim me subvencione”, dhe H.B “Dhënie e ryshfetit dhe Mashtrim me subvencione”.
“I akuzuari GJ.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej dy vite e gjashtë muaj, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 03.12.2021 deri më 03.05.2022, si dhe me dënim me gjobë në shumë prej katër mijë euro, të cilin dënim i akuzuari është i obliguar ta paguaj në afat prej një muaj, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. I akuzuari H.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej një vjet, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 03.12.2021 deri më 03.05.2022, si dhe në shumë prej tre mijë euro, të cilin dënim i akuzuari është i obliguar ta paguaj në afat prej një muaj, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
“Nëse të akuzuarit GJ.M dhe H.B nuk dëshirojnë ose nuk munden ti paguajnë dënimet me gjobë, atëherë dënimet me gjobë iu zëvendësohen secilit veç e veç me dënim me burgim, duke e llogaritur për çdo ditë të kaluar në burgim nga njëzet (20) €uro, ashtu që të akuzuarit GJ.M i zëvendësohet dënimi me gjobë me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 200 ditëve, ndërsa të akuzuarit H.B i zëvendësohet dënimi me gjobë me dënim me burgim në kohëzgjatje prej njëqind e pesëdhjetë 150 ditëve”.
“Të akuzuarit detyrohen që ti paguajnë shpenzimet e paushallit gjyqësor secili veç e veç shumën prej njëqind 100 euro, si dhe në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit secili veç e veç shumën prej 100 euro, të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi”.
“E dëmtuara Avokatura Shtetërorë e Kosovës pranë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës në Prishtinë, për realizimin e kërkesës pasurore – juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil. Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës,përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”.