Lajme

Dënimi i parë i shqiptuar nga Gjykata Speciale për Gucatin dhe Haradinajn

05/19/2022 07:39
nga:G B

Ish-drejtuesit e organizatës së veteranëve të ish-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim të mërkurën. Ky është dënimi i parë i shqiptuar nga Gjykata Speciale.

Dhomat e Specializuara të njohura si Gjykata Speciale për krime Lufte shpalli fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin në krye të organizatës së veteranëve të ish UÇK-së dhe që nga shtatori i vitit 2020 ata mbaheshin në paraburgim në Hagë. Në dënimin prej katër vjet e gjysmë do të llogaritet edhe koha e tyre e kaluar në paraburgim. “Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e veprimeve zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim sipas procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës të zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, tha gjykatësi Charles Smith III.

Kosovo Ex-UCK-Kämpfer Hysni Gucati verhaftetArrestimi i Hysni Gucatit

Frikësimi i dëshmitarëve

Ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, në shtator të vitit të shkuar u akuzuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata sipas prokurorisë, në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kishin shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara. Sipas gjykatësit Smith, Gucati dhe Haradinaj, “me zbulimin e emrave të dëshmitarëve, por edhe me deklaratat e tyre, kanë shkaktuar kërcënim të rëndë me synim frikësimin e dëshmitarëve”.

Kosovo Pristina | Ex-UCK-Kämpfer Hysni Gucati verhaftetArrestimet e ish-drejtuesve të organizatës së veteranëve të ish- UÇK-së, shtator 2020

Gjykatësi Charles Smith III, gjatë paraqitjes së përmbledhjes së vendimit të trupit gjykues për rastin, tha se “ky rast tregon më së miri arsyen se pse është krijuar Gjykata Speciale”. Ai tha se mbrojtja e dëshmitarëve është e rëndësishme, pasi pa ta, nuk mund të ketë drejtësi për viktimat, apo për shoqërinë në përgjithësi. Vendimi i dënimit nga Gjykata Speciale i Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, mund të apelohet brenda 30 ditësh tek paneli i Gjykatës së Apelit në Hagë, e që funksionon sipas ligjeve të Kosovës. Pas kësaj nëse merret vendim i shkallës së prerë, sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara, të dënuarit e vuajnë dënimin në njërin prej shteteve, që kanë shprehur gatishmëri të pranojnë personat e dënuar nga kjo gjykatë. (DW)