Sporti

Dënime të “ashpra” nga FFK-ja për rrahjen e juniorëve në Fushë Kosovë

09/24/2024 17:03
nga:E K

Një rrahje masive ndodhi në ndeshjen e juniorëve mes Fushës Kosovës dhe Gjilanit.

Këtë të martë, Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar për vendimet që ka marrë Komisioni Disiplinor.

Fushë Kosova, për hyrje të personave të paautorizuar në fushë, u gjobit me 500 euro.

Prej lojtarëve, Eldis Kolshi i Fushë Kosovës u dënua me katër ndeshje moslojë për shkelmim të lojtarit kundërshtar.

Ardijan Berbatovci, Arjanit Ajeti, Eduard Muqolli e Muhamed Simnica po ashtu të Fushë Kosovës, u dënuan me tri ndeshje moslojë.

Me dy ndeshje moslojë u dënua Denis Mekolli i Fushë Kosovës, sa edhe Leart Kërqeli e Elton Isufi të Gjilanit.

Tri ndeshje do të mungojë lojtari tjetër i Gjilanit, Femi Kryeziu.

Bernard Karrica i Ballkanit u ndëshkua me dy ndeshje moslojë për kartonin e kuq ndaj Dritës. Ai goditi me bërryl lojtarin kundërshtar, Besnik Krasniqin.

Për rrahjen e tifozëve të Fushë Kosovës e Vushtrrisë, në ndeshjen e Ligës së Parë, është inicuar procedurë disiplinore ndaj Fushë Kosovës.

Një tifoz është lënduar rëndë në kokë.